E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja ne Tirane ngushtohen pistat e hetimit

Ngushtohen pistat e hetimit të policisë së Tiranës për identifikimin e dy grabitësve që sulmuan me thika dy motrat Fatbardha Tafa dhe Lumturie Gjana, ngjarje në të cilën mbeti e vrarë Fatbardha, ndërsa Lumturia u plagos në krah.
Dy ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pranë ish Fushës së Aviacionit, policia ka çuar në 30 numrin e personave të dyshuar si autor të krimit makabër. Të dyshuarit janë kontigjentë me tendenca të kryerjes së ngjarjeve të tilla kriminale, të cilët janë arrestuar në muajt e fundit nga policia, dhe kanë mbaruar dënimin apo janë lënë në gjykim në gjendje të lirë nga gjykata.
Policia për 48 orë shoqëroi mbi 200 persona si të dyshuar për ngjarjen, ndërsa janë bllokuar 250 motorë që kanë ngjashmëri me motorin e përdor nga grabitësit, apo janë kapur në aksion që pasoi për bllokimin e mjeteve të tilla motorike pa dokumenta dhe pa targa identifikuese.
Ndërsa për familjarët e dy motrave Tafa dhe Gjana, krimi ka qenë mjaft tronditës.
Trupi i pajetë i Fatbardha Tafës, prej pasdites së të enjtes prehet në varrezat e fshatit Hardhishtë. 37-vjeçarja jetonte prej 5 vjetësh në Itali dhe kishte ardhur tek të afërmit e saj për pushime. 
Pasditen e të mërkurës ajo me djalin 14 vjeç, motrën Lumturie dhe 2 fëmijët e saj, kishin shkuar te lulishtja te ish Fusha e Aviacionit. 
Në kthim rreth orës 18:30 të mbrëmjes, ato janë sulmuar nga dy grabitës me motor që donin t’i merrnin varësen nga qafa Fatbardhës. Dy gratë kanë reaguar, duke kapur njërin nga grabitësit, ndërsa grabitësi tjetër i sulmoi ato me thika.
Policia ngriti një grup të zgjeruar hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorëve, hetime të cilat po vijojnë me mjaft intensitet. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›