E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy biznesmenë i japin fund jetës, kredia dhe sëmundja

Policia në vendin ku u vetëvra biznesmeni Enrik Lala

Ngjarjet brenda 3 orësh në Durrës. Të dy viktimat me aktivitet privat.

Dy vetëvrasje për motive të ndryshme janë regjistruar brenda një harku prej tri orësh në Durrës, ndërsa viktima janë bërë dy biznesmenë, të cilët janë gjetur të vrarë me armë zjarri. Për të dyja ngjarjet Policia deklaroi zyrtarisht se kemi të bëjmë me vetëvrasje.
Ngjarja në Shijak
Ngjarja e parë është regjistruar rreth orës 10:30 të së hënës në fshatin Koxhas të Shijakut, ku Sazan Caku, 44 vjeç, është gjetur i vrarë në banesën e tij. Sipas Policisë, nga hetimet e para rezulton se pronari i një pike shitjeje për pjesë makinash, ka vrarë veten duke u qëlluar me plumb në kokë, në banesën e tij dykatëshe. Burime nga Policia lokale thanë se 44-vjeçari prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Të njëjtat burime konfirmojnë se ka qenë ky shkaku që Caku është vetëqëlluar. Me gjithë shtrimin në spitalet e Italisë, ai nuk kishte marrë shpresë për të kapërcyer sëmundjen. Sipas bluve, kohët e fundit Sazanit i ishin shtuar shumë dhimbjet. Për tiu shmangur atyre ai ka vrarë veten me pistoletë, duke zgjedhur edhe momentin kur pjesëtarët e tjerë të familjes ndodheshin në katin e dytë të shtëpisë, ndërkohë që ngjarja është zhvilluar në sallon, që ndodhet në katin e parë të vilës. Pasi kanë dëgjuar të shtëna, familjarët kanë zbritur për të parë se çfarë kishte ndodhur, por janë tronditur kur kanë parë kryefamiljarin të shtrirë dhe të mbuluar nga gjaku. Ndonëse ngjarja ka ndodhur brenda mureve të shtëpisë, krisma e armës është dëgjuar nga komshinjtë, të cilët kanë rendur për në banesën e 44-vjeçarit. Kur kanë konstatuar se Sazani i kishte dhënë fund jetës duke u vetëqëlluar me pistoletë në kokë, fqinjët kanë lajmëruar policinë. Menjëherë pas marrjes së sinjalit, blutë e Komisariatit të Shijakut janë gjendur në vendin e ngjarjes ku edhe kanë nisur nga puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi mbarë zonën. Nga dëshmitë e familjarëve mësohet se 44-vjeçari nuk ka pasur arsye të tjera për tu vetëvrarë, përveçse sëmundjes së rëndë.
Vetëvrasja e Durrësit
Ende pa mbyllur mirë procedurat mbi vetëvrasjen e Koxhajt, policia është sinjalizuar për një tjetër vetëvrasje. Këtë radhë ngjarja e rëndë ka prekur familjen Lala. Kryefamiljari Enrik Lala, 50 vjeç, banor i Lagjes 11 të qytetit i ka dhënë fund jetës duke u vetëqëlluar me automatik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15, në banesën e 50-vjeçarit që ndodhet në katin e katërt të një prej pallateve përballë Gjykatës së rrethit. Sipas Policisë, viktima mendohet të jetë vetqëlluar në kushte depresioni për shkak se nuk mund të shlyente dot një kredi që kishte marrë për të ngritur biznesin e përpunimit të drurit. Të gjithë banorët e zonës janë tronditur kur kanë mësuar për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në familjen Lala. Madje, viktima, 50-vjeçari Enrik Lala ka qenë një personazh i njohur për shumicën e qytetit të Durrësit, jo vetëm për shkak të punës që ushtronte, por edhe për sjelljen e mirë të tij. Para se të ndërmerrte aktin ekstrem, 50-vjeçari është interesuar për biznesin e tij që ndodhet në periferi të Durrësit. Pesë minuta përpara se të tërhiqte këmbëzën e automatikut dhe ti jepte fund jetës, Lala ka komunikuar në linjë telefonike me një prej punëtorëve të tij dhe i ka kërkuar atij të merrte disa masa për një dhomë gjumi që kishte marrë porosi. Pasi ka mbyllur telefonatën, 50-vjeçari ka lënë shtëpinë ku jetonte me familjen dhe ka hyrë në një tjetër banesë në pronësi të tij, atje ku dhe u gjet i vdekur. Enriku nuk ka dashur që gruaja dhe fëmijët e tij të shikonin skenën e krimit, ndaj dhe ka zgjedhur të vetëvritet në shtëpinë përballë, e cila është në pronësi të tij, por që nuk përdorej nga askush. Për të zbardhur detaje mbi ngjarjen e ndodhur, policia po merr në pyetje familjarët në cilësinë e dëshmitarëve.

Viktimat
Sazan Caku, 44 vjeç, banor i fshatit Koxhas në qytetin e Shijakut. Sipas policisë vuante nga një sëmundjeje e pashërueshme

Enrik Lala, 50 vjeç, banor i Lagjes 1 në qytetin e Durrësit. Sipas Policisë, ai i dha fund jetës në kushtet e depresionit për shkak të një kredie të pashlyer

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›