Vrasja në Vlorë, Topi takon kryeprokuroren Rama, kreun e SHISH dhe Hysni Burgajn
Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me kryeprokuroren Ina Rama, kreun e SHISH, Bahri Shaqiri dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Takimi, i cili është zhvilluar në presidencë, ka zgjatur vetëm 20 minuta.
Në qendër të takimit mes Topit dhe krerëve të këtyre institucioneve të rëndësishme ka qenë atentati ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
“Në këtë takim me drejtues të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar, Presidenti Topi kërkoi një informacion të detajuar mbi zhvillimet e deritanishme që i përkasin ngjarjes tragjike të vrasjes në Vlorë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Pasi dëgjoi me vëmendje Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e SHISH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Presidenti i Republikës kërkoi angazhimin maksimal të këtyre institucioneve dhe strukturave të tjera vartëse për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve si dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë.
Edhe një herë në këtë takim, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se një ngjarje e tillë, që ka tronditur sot gjithë opinionin publik, është një goditje tepër e rëndë ndaj figurës dhe profesionit të gjyqtarit si garant i vendosjes së drejtësisë në vend, ndaj dhe për këtë duhet një bashkëpunim shumë profesional dhe i efektshëm mes institucioneve përkatëse për të zbuluar shkaqet dhe gjetur autorët e këtij akti makabër”, thuhet në njoftimin e Presidencës për këtë takim.