E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja pas sherrit në Tiranë, bie në pranga në Itali djali i aktorit

TIRANE - Arrestohet në Ankona të Italisë djali i aktorit, një nga personat e dënuar në mungesë për vrasjen e Endrit Koçisë, në vitin 2005, pranë ATSH-së në Tiranë. 

Rubens Sela, 23 vjeç, nga Tirana, është ndaluar nga policia italiane në Ankona në bazë të një urdhri ndërkombëtar arresti të lëshuar për të nga drejtësia shqiptare. Sipas policisë, Rubens Sela, 23 vjeç, është shpallur në kërkim në muajin shtator të vitit 2005, pas vrasjes së Endrit Koçisë, nga Endrit Qyqja pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Pas vrasjes, Rubens Sela është larguar jashtë vendit, duke iu shmangur organeve të drejtësisë, ndërsa ka qëndruar gjatë kësaj kohe në Itali, kryesisht në Ankona në zonën Falkonarës, ku edhe u arrestua nga policia italiane. Ai është ndaluar gjatë një verifikimi të policisë italiane, ndërsa atyre djali aktorit Fatos Sela iu është prezantuar me një emër tjetër nga ai i vërteti. Gjatë verifikimeve të kryera nga policia italiane, atyre u kanë lindur dyshimet se personi ishte në kërkim, ndërsa karakteristikat dhe të dhënat e tij i përafroheshin një personi të shpallur në kërkim me një vendim të gjykatës së Tiranës. Arrestimi mësohet se është kryer të premten pasdite, por të shtunën zyra e Interpol Romës ka komunikuar me homologët shqiptarë. Këta të fundit i kanë komunikuar kolegëve italianë se personi me të dhënat përkatëse që paraqitej në një foto të policisë italiane, ishte pikërisht i kërkuari nga Interpol Tirana. Për vrasjen e Endrit Koçisë janë dënuar nga gjykata e Tiranës edhe Igli Selita dhe Lulëzim Ismaili. Ngjarja për të cilën është dënuar dhe arrestuar edhe Rubens Sela, ka ndodhur në shtator të vitit 2005, pasi viktima Endrit Koçia, bashkë me dy shokë të tjerë janë grindur me Juxhin Selën, vëllain e Rubensit. Në mbrëmje, Rubens Sela, së bashku me Lulëzim Ismailin, Igli Selitën dhe Endrit Qyqjen kanë mbërritur pranë një lokali lojërash, ku vëllai i Rubensit ishte zënë me shokët e Endrit Koçisë. Sapo Rubens Sela dhe shokët e tij kanë mbërritur me dy makina të ndryshme, ata kanë filluar të grinden me grupin tjetër të personave që po qëndronin ulur në një bordurë. Endrit Qyqja mbante një armë pistoletë, të cilën, sipas vendimit të gjykatës ia kishte marrë Rubens Selës, për të mos shkaktuar ndonjë problem. Në grindje e sipër me Endrit Koçinë, Qyqja qëlloi me armë në gjoks kundërshtarin e tij, duke e lënë të vdekur në vend.                         d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›