E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Divorcohemi nga burrat për t’u kthyer në punë”

Kur kanë humbur të gjitha shpresat për rikthimin në punë, mes bashkëshortit dhe vendit të punës, kanë zgjedhur të dytin. Plot 10 gra të prekura nga reforma në uzinën e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, kanë paraqitur dje në gjykatën e Fierit kërkesën për divorc bashkëshortor. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Veprimi është mbështetur edhe nga bashkëshortët, të cilët për të shpëtuar të ardhurat e familjes duhet të sakrifikojnë martesën. Fakti që një prej kritereve të vendosura nga reforma, ishte që aty nuk mund të punonte më shumë se një person nga e njëjta familje ka bërë që zgjidhja e kurorës të shihet si e vetmja shpresë për të reformuarat. "Është e vetmja mënyrë që ne të shihemi si të barabarta në punë. Unë kam bërë shkollën dhe nuk dua t'i shtrij dorën burrit për bukën e gojës. Nuk është parë në asnjë vend të botës, që të mposhten të drejtat e njeriut në mënyrë kaq flagrante. Ja, sot kemi bërë kërkesat për divorc, ndoshta kështu do të jetë më mirë për të gjithë", deklaroi një punonjëse e vjetër e uzinës së Ballshit. "Nuk ka asnjë arsye që ne të vërdallisemi nëpër dyert e njërit apo tjetrit institucion. Nëse duhet të zgjedh mes burrit dhe fëmijëve të mi, më mirë ndaj burrin dhe vazhdoj të qëndroj në punë për të mbajtur fëmijët", ka vijuar ajo. Edhe pse nuk ka qenë fort e lehtë për bashkëshortët ndërmarrja e këtij veprimi, ata pohojnë se në këtë mënyrë do t'u tregojnë shtetit se ç'është në gjendje të bëjë një njeri i ndershëm. "Të ndahesh nga gruaja vetëm për të shpëtuar vendin e punës dhe për të ushqyer fëmijët. Nuk mund të bëjmë asgjë tjetër. I provuam të gjitha mënyrat. Duket absurd një hap i tillë, por ne mbështesim gratë tona në këtë nismë. Kështu u tregojmë krerëve të kompanive të naftës dhe drejtuesve të këtij shteti, se çfarë është në gjendje të bëjë një njeri i ndershëm vetëm për të siguruar bukën e gojës dhe të ardhmen e fëmijëve të vet", pohoi bashkëshorti i njërës prej grave të paraqitura në gjykatë. Ndërsa nga avokatët veprimi i grave të prekura nga reforma është totalisht i justifikuar dhe ligjor, pasi, sipas tyre, në fund të fundit është e drejtë e grave të kërkojnë ndarjen nga burrat e tyre. "Në bazë të ligjit, gjithkush është i lirë të veprojë në bazë të ideve dhe bindjeve të veta", janë shprehur ata. Kërkimi i divorcit ishte hapi më i fundit i ndërmarrë nga gratë e prekura nga reforma në KPTHN Ballsh. Që prej publikimit të listave me personat e prekur nga reforma, ato kanë ndërmarrë një seri protestash paqësore përpara kompanisë. Kulmi i protestës së tyre arriti pak ditë më parë, kur 30 prej tyre u ngjitën në kullën e koksit në ambientet e uzinës dhe kërcënuan se do të vetëflijoheshin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›