Trafiku i 1.3 ton drogë, hetim pronave
Trazhgim Sokolaj
Grupi kriminal i trafikut të drogës, i arrestuar së fundi në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Belgjikë, mund të kthehet në rastin e parë kur Prokuroria do të zbatojë ligjin "Antimafia" të miratuar pak kohë më parë në Parlament. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë pohuar dje se kanë filluar zyrtarisht verifikimin e pasurive të nëntë personave, të arrestuar dhe të shpallur në kërkim në Shqipëri, si anëtarë të organizatës së trafikut të drogës. Tre persona u arrestuan nga policia me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda (Artur Demaj, Daniel Likaj dhe Pilo Zanaj), ndërsa iu njoftua akuzë e re edhe dy personave të tjerë të arrestuar më parë, Maringlen Hallka dhe Fatbardh Kapllanaj. Të dyshuarit janë nga Vlora dhe nga Fieri ndërsa akuzohen se me gjashtë lëvizje të skafeve e gomoneve nga bregdeti i Shqipërisë për në brigjet e Salentos në Itali, kanë trafikuar në dy vjet, plot 1.3 tonë marihuanë. Gjatë kësaj kohe, kjo organizatë kriminale, sipas Prokurorisë ka trafikuar edhe dhjetë kilogramë heroinë. Nisur nga ngarkesat e mëdha të drogës së trafikuar, hetuesit besojnë se përfitimet e anëtarëve të rrjetit kanë qenë të mëdha. Për këtë shkak, kjo është çështja e parë në të cilën Prokuroria po heton pasurinë e të pandehurve në kuadër të ligjit të ri Antimafia, i miratuar në Kuvend më 3 dhjetor 2009 dhe i dekretuar nga Presidenti në datën 22 dhjetor të vitit të shkuar. Ligji parashikon hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së personave të akuzuar për trafiqe të paligjshme dhe grupe të strukturuara kriminale, akuza që në fakt janë ngritur ndaj pesë të arrestuarve të aksionit "Lindja e Diellit" i cili u zhvillua njëherësh në katër shtete, Itali, Shqipëri, Belgjikë dhe Greqi me 36 persona të arrestuar. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton çështjen, ka pohuar se ka kërkuar informacione mbi pasurinë e të akuzuarve në banka, tatime dhe në zyrat e regjistrimit të pasurisë. Nëse këto prona janë regjistruar në emër të personave të akuzuar pas vitit 2005 kur Prokuroria e Antimafias në Itali regjistroi hetimin ndaj rrjetit të drogës, atëherë pronat dhe objektet rrezikojnë konfiskimin dhe kalimin e tyre në emër të shtetit. Pesë personat e arrestuar si dhe katër të tjerë tashmë në kërkim, akuzohen se nga viti 2005 deri në 2007 kanë përcjellë për bashkëpunëtorët e tyre në Itali gjashtë ngarkesa me drogë, konkretisht në 2005, një sasi prej 167 kg marihuanë në vitin 2006 kanë trafikuar në ngarkesa të ndryshme me skafe nga kanali i Otrantos 351 kg drogë, 275 kilogramë dhe 217 kilogramë të tjera.