E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasje në Durrës, qëllohet për vdekje 28-vjeçari



Një 28-vjeçar ka mbetur i vdekur, pasi është goditur me automatik mbrëmjen e djeshme në Durrës. Sipas burimeve nga policia, viktima është Denis Zani. Ndërkohë që agjentët kanë arritur që të identifikojnë edhe autorin e kësaj vrasjeje, inicialet e të cilit janë G.C. I riu ishte duke ecur mbrapa stadiumit të futbollit të qytetit, ku me shpejtësi i është afruar një person, i cili ka qëlluar me breshëri ndaj tij. Plagët kanë qenë fatale për 28-vjeçarin, i cili nuk ka arritur që të mbijetojë. Në vendngjarje kanë shkuar dhe forcat e policisë, të cilat nisën operacionin për kapjen e autorit. Megjithatë, i riu ka arritur që t’i shmanget arrestimit, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga hetimet paraprake mendohet se shkak i vrasjes mund të ketë qenë një konflikt midis dy personave.

Vrasja ndodhi rreth orës 17:30 të mbrëmjes së djeshme. Zani gjatë momentit kur u sulmua ishte duke ecur pas stadiumit të futbollit “Niko Dovana”. Sipas dëshmitarëve, atij i është afruar me shpejtësi një person, i cili ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me breshëri. Si pasojë e plumbave të marra ka gjetur vdekjen 28-vjeçari, ndërsa autori është larguar me shpejtësi. Sipas burimeve nga policia, ai është ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar. Viktimës i është dhënë ndihma e parë, duke e çuar në spital, por plagët e marra si pasojë e plumbave kanë qenë të rënda, duke bërë që ai të mos arrijë që të mbijetojë. Në vendngjarje mbërriti edhe policia, e cila nisi menjëherë nga puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. U rrethua vendi i krimit, si dhe u këqyr vendi i ngjarjes. Gjithashtu, u morën dëshmitë e para nga personat e pranishëm në vendngjarje. Pas hetimeve paraprake, agjentët arritën që të identifikojnë edhe autorin e krimit, i cili është 25-vjeçari me inicialet G.C.

Sipas policisë, viktima dhe autori janë banorë në lagjen nr. 15 të qytetit bregdetar në Spitallë. Autori i vrasjes ka përdorur për të vrarë 28-vjeçarin një automatik tip “Kallashnikov”.

Burime nga policia e qytetit bregdetar shprehen se viktima dhe autori i krimit njiheshin mes tyre. Ata kishin pasur më përpara një konflikt, që mendohet se është edhe shkaku i kësaj ngjarjeje. Megjithatë, po punohet për të zbardhur shkaqet e vrasjes dhe për të kapur autorin e krimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›