E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasjet e fëmijëve në botë, baronesha Ashton sulmohet nga liderët izraelitë

Ashton me Kryeministrin e Autoritetit Palestinez, Salam Fayad

Liderët izraelitë kanë denoncuar dje kryediplomaten e Bashkimit Europian, baroneshën Katerin Ashton, pasi sipas tyre lidhi të shtënat dhe vrasjen e fëmijëve hebrenj, në një shkollë në Francë, dhe sulmet e ushtrisë izraelite që kanë vrarë fëmijë palestinezë në Gaza. Shefja e diplomacisë së BE-së, Katerin Ashton, tha më pas se komentet e saj ishin shtrembëruar së tepërmi. Në një konferencë mbi refugjatët e vegjël palestinezë të mbajtur të hënën në Bruksel dhe organizuar nga OKB dhe Agjencia për refugjatët palestinezë, Ashton foli mbi vrasjet e fëmijëve në të gjitha llojet e rrethanave të tmerrshme. Kryeministri izraelit, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi e dënuan këtë krahasim. Ashton të hënën tha: Dhe në ditët kur ne kujtojmë të rinj që janë vrarë në të gjitha llojet e rrethanave të tmerrshme, fëmijët belgë që kanë humbur jetën në tragjedinë e tmerrshme, kur ne sjellim ndër mend çfarë ndodhi sot në Toulouse, kur ne kujtojmë çfarë ndodhi në Norvegji një vit më parë, kur ne e dimë se çfarë po ndodh në Siri, kur ne shohim çfarë po ndodh në Gaza dhe Sredot, në pjesë të ndryshme të botës, ne kujtojmë të rinj dhe fëmijë që humbin jetët e tyre. Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, i dënoi deklaratat e Ashton. Ai tha se shpreson që ajo do ti rishikojë dhe kthejë pas ato. Kryeministri Beniamin Netanjahu tha në një deklaratë se ai ishte i zemëruar për paralelizmat mes masakrës së fëmijëve … dhe sulmeve mbrojtëse të ushtrisë izraelite kundër terroristëve, të cilët përdorin fëmijët si mburoja. Në sqarimin e saj, Ashton tha se referimi i saj ishte mbi tragjeditë që marrin jetët e fëmijëve rreth botës dhe nuk hoqi asnjë paralele mes rrethanave të sulmit në Toulouse dhe situatës në Gaza. Ajo mori mbështetjen e shumë europarlamentarëve, të cilët thanë se interpretimi për fjalimin e saj ishte jashtë kontekstit.

Përshëndetja e Hamas
Lëvizja Hamas që qeveris në Gaza, i ka mirëpritur deklaratat e Ashton, e cila edhe sipas tyre ka hequr paralele mes vrasjes së fëmijëve në shkollën e Toulouse, vrasjes së fëmijëve në Gaza e në Damask. Në një reagim në Facebook, një nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje, Izzat al-Rishq, përgëzoi Ashton për deklaratat të cilat nuk u frenuan nga presioni izraelit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›