E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Edhe forcë, për të penguar zgjedhjet serbe

Jakup Krasniqi

Përfaqësuesi i BE-së: Serbia, zgjedhje parlamentare në Kosovë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke shprehur kundërshtimin e tij mbi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, ka deklaruar se rezoluta e miratuar në Kuvend kërkon pengimin e këtij fenomeni, nëse është nevoja edhe duke përdorur forcën. Gjatë një interviste në RTV21, Krasniqi tha se rezoluta për kundërshtimin e zgjedhjeve serbe ka kryer vetëm punën e Kuvendit e tashmë duhet të veprojë ekzekutivi e, për më tepër, BE dhe SHBA. Rezoluta është bërë në marrëveshje me subjektet politike. Kuvendi e ka kryer detyrimin e tij dhe është ekzekutivi që duhet të ndërmarrë masat për pengimin e zgjedhjeve serbe në atë pjesë të Kosovës. Meqë bisedimet mes Prishtinës e Beogradit deri më tani janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe të SHBA-ve, në një formë apo një tjetër ata janë të detyruar që të bëjnë një presion pozitiv mbi Serbinë që të respektojë marrëveshjet e arritura, deklaroi Krasniqi. Rezoluta e detyron qeverinë që të pengojë çdo veprim të paligjshëm, që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet në Kosovë. Natyrisht që kjo nënkupton edhe përdorimin e forcës, ka theksuar ai. Ndërkohë, Krasniqi ka takuar dje përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ky i fundit theksoi se Bashkimi Europian e ka bërë shumë të qartë faktin se zgjedhjet lokale të Serbisë nuk mund të mbahen në Kosovë dhe ato janë totalisht të papranueshme. Por lajmi i keq ishte se Zhbogar ka paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare të Serbisë mund të mbahen të organizuara nga OSBE-ja, duke ditur faktin se në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë. Sa i përket kësaj pike, Krasniqi theksoi se edhe këto zgjedhje janë të papranueshme, duke marrë parasysh se Serbia nuk e ka njohur Kosovën. Dihen praktikat europiane, që zgjedhjet lejohen në një shtet tjetër, por ato mbahen në ambasadat e shteteve përkatëse, është përgjigjur Krasniqi. Ndërsa zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, pas marrjes së sinjaleve të vazhdueshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme serbe në Kosovë, kërkoi nga BE që të flasë në një zë kundër tyre.

Qeveria hije
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet ta ndajë përgjegjësinë për Veriun e vendit me kreun e LDK-së, Isa Mustafën. Sipas Koha Ditore, Thaçi tashmë ka vendosur për themelimin e një qeverie në hije të PDK-së për komunën e Prishtinës. Një zyrtar i lartë i PDK-së e ka e quajtur atë kabinet të qeverisjes së mirë për Prishtinën, model ky që PDK-ja tashmë e ka përdorur në nivel qendror, në kohën kur ishte opozitë e qeverisë LDK-AAK në vitet 2004-2007. Vendimi pritet të bëhet publik shumë shpejt dhe emrat e njerëzve që do të udhëheqin qeverinë hije për Prishtinën, do të vendosen nga vetë Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›