Vrasjet në Tropojë, më 21 maj Jaho Mulosmani në gjyq
TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar datën 21 Maj për fillimin e procesit gjyqësor ndaj Jaho Mulosmanit, i akuzuar për vrasje të dyfishtë në Tropojë.
Jaho Mulosmani do të rigjykohet për dosjen e vrasjes së shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, në vitin 1999 në Tropojë.
Mulosmani ndodhet në burg pasi është dënuar me burg përjetë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998 në Tiranë. Dosja u regjistrua në gjykatë para disa ditësh dhe do të shqyrtohet nga një trup gjykues nën drejtimin e gjyqtarit Petrit Çomo.
Vendimi për rigjykimin e çështjes ndaj Mulosmanit u morr pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi parregullsi në shqyrtimin e saj në shkallët më të ulëta të gjyqësorit.
Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor dhe dënuar me burg përjetë Jaho Mulosmanin për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurtit në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja e rëndë kishte për motive hakmarrjen.
(s.g/BalkanWeb)