E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan Park, projekti i ri i klubit të Milanit dhe Taci Oil

Në Tiranë ka nisur edicioni i parë i Milan Park, ku fëmijët shqiptarë kanë mundësi të argëtohen gratis. Parku u vizitua edhe nga legjenda e Milanit Franko Barezi, që ka zhvilluar një mini ndeshje kundër presidentit të Taci Oil. 

TIRANE- Ka nisur në Tiranë edicioni i parë i Milan Park, që në thelbin e tij ka argëtimin e fëmijëve. Klubi italian ka ngritur në sheshin “Nënë Tereza” parkun e tij dhe që në ditën e parë pjesëmarrja ka qenë tepër e madhe. Për të ndjekur këtë aktivitet , ka ardhur në kryeqytet dhe ish kampioni i Milanit Franko Barezi, që ka qenë i ftuar i nderit i presidentit të kompanisë Taci Oil, Rezart Taci.
“Është bukur të shohësh kaq shumë njerëz, kaq shumë pjesëmarrje dhe këta fëmijë. Milani është i lumtur që sjell këto evente e këto iniciativa, në mënyrë që eshe fëmijët shqiptarë të njohin më mirë botën e Milanit dhe ngjyrat kuqezi. Më pas , sërish me zotin Taci do të organizojme dhe Milan Junior Camp, ku të vegjlit do të kenë mundësi të bëjnë futboll me metodat tona, me trajnerët tanë të të rinjve. Mendoj se janë të gjitha iniciativa të bukura dhe jemi të kënaqur me këtë. Pak ditë më parë Shqipëria bëri një figurë të mirë në ndeshjen me Milanin. Shpresoj të ketë sa më shumë evente të tilla në të ardhmen” u shpreh Barezi.
Ndrkohë , në sytë e të gjithëve është zhvilluar edhe një mini ndeshje futbolli ku dy skuadrat përfaqësonin Shqipërinë dhe Milanin.
“ Duhet të falenderojmë skuadrën e madhe të Milanit që përsëri mendoi për tifozat e futbollit, por kësaj here për tifozat e vegjël të futbollit. Gjithashtu falenderojmë dhe kompaninë Taci Oil e cila ju përgjigj pozitivisht ftesës së Milanit për të ndërtuar këtë park për të apasjonuarit e vegjël të futbollit” tha Taci.
Më tej fëmijët kanë ndjekur edhe një performance të kampionit të botës në xhonglimin e topit. Milan Park është projekti i ri i bashkëpunimit mes klubit të Milanit dhe kompanisë Taci Oil. Në muajin korrik do të zhvillohet edicioni i dytë i Milan Junior Camp. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›