E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formohet Këshilli për mbrojtjen e Kurtit

Është krijuar Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti.

Ky këshill përbëhet nga një numër organizatash dhe aktivistësh të shoqërisë civile, të cilët janë të shqetësuar për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe për mungesën e hetimit për vrasjen e dy demonstruesve më 10 shkurt 2007.

Në një deklaratë të këtij këshilli, thuhet se padia kundër Albin Kurtit, nga shumë organizata vendore e ndërkombëtare u cilësua si politikisht absurde, dhe ligjërisht e pabazë.

EULEX-i pohon të jetë një mision i sundimit të ligjit dhe zbatues i drejtësisë në Kosovë, por duke e rihapur këtë rast – sipas këtij këshilli - ai bën një dështim flagrant në fushën e drejtësisë dhe të drejtave.

“Bazuar në shkeljet e shumta në këtë rast, në bazën e paqenë ligjore, por edhe në objektivat politike prapa tij, EULEX-i ka mundur me lehtësi ta mbyllë këtë rast”, thuhet në deklaratën shpërndarë medieve.

Organizatat dhe individët të cilat deri më tani i janë bashkëngjitur këtij këshilli janë: Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Çohu, Lëvizja Fol, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Forumi për Iniciativë Demokratike (FID), Alter Habitus, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Emancipimi Civil Ma Ndryshe, Fondacioni për Iniciativë Demokratike (FDI), Mileniumi i Ri, Syri i Vizionit, Shoqata Kosovare për të Drejta të Njeriut dhe të Fëmijëve (KAHCR), Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore (QTSGJ), Qendra për Politika dhe Avokim, Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC), Iniciativa për Progres (INPO) dhe Vjosa Dobruna.

Këshilli fton të gjitha organizatat dhe individët e shoqërisë civile të Kosovës që t’i bashkëngjiten kësaj nisme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›