Soba me dru asfikson fëmijën 15 muajsh, digjet banesa
TEPELENE - Zjarri i harruar në banesë i merr jetën fëmijës. Alush Bega, vetëm 15 muajsh është viktima i ngjarjes së rëndë, ndërsa e motra 5-vjeçare u shpëtua nga vdekja e sigurt prej një fqinji. Flakët e zjarrit u shfaqën në banesën e familjes Bega në fshatin Kurvelesh të Tepelenës, në orët e para të ditës së djeshme. Sipas burimeve të konfirmuara edhe nga grupi hetimor i ngritur me këtë rast, zjarri ka ardhur si pasojë e nxehtësisë nga soba me dru, e cila ishte lënë jashtë vëmendjes e ndezur nga prindërit e foshnjës. Aleks Bega dhe e shoqja kishin dalë rreth orës 06:00 të mëngjesit për vizitë te njerëzit e gruas. Në këtë kohë, ata kishin ndezur sobën me dru, me qëllim që dy fëmijët, Zajna 5 vjeçe dhe Alushi 15 muajsh të qëndronin ngrohtë gjatë kohës që ata do të ishin larg. Asnjë prej tyre nuk kishte menduar se mund të ndodhte një tragjedi. Në momentin kur prindërit kanë qenë jashtë shtëpisë, ata janë lajmëruar nga një i afërmi i tyre për zjarrin e rënë në banesë. Ai kishte mundur që të shpëtonte vajzën 5-vjeçare nga flakët e zjarrit në shtëpi, por pa mundur të depërtonte sërish në banesë ku ndodhej i mituri. Në këtë moment Aleksi është lëshuar vetëtimthi në drejtim të flakëve, të cilat kishin shkrumbuar ambientin e brendshëm të shtëpisë. Megjithëse thirrjet për të mos hyrë në banesë, për shkak të rrezikut që i kanosej nga flakët, ai është futur menjëherë për të shpëtuar të birin 15 muajsh. Fëmija tjetër ka shpëtuar mrekullisht vetëm me një shenjë në fytyrë dhe është shtruar menjëherë në spitalin e Tepelenës. Sipas policisë, foshnja 15-muajshe ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë së tymit të zjarrit ndërkohë që shkaqet mendohet të kenë qenë aksidentale. Zjarri i rënë në banesë është provokuar nga soba me dru, nxehtësia e së cilës ka shkaktuar flakët që përpinë më pas të gjithë shtëpinë njëkatëshe. Mbërritja e zjarrfikëses ka lokalizuar nga flakët atë çfarë kishte ngelur nga banesa. Banesa ku jetonte familja Bega, ishte e marrë me qira ndërkohë që Aleksit, babait të foshnjës, përveç dhimbjes që i shkaktoi vdekja e të birit, do t'i duhet të paguajë edhe banesën e djegur. p.n