Rinis puna për rrugën në fshatin e Fatos Nanos
• GJIROKASTER - Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet mjaft shpejt të investojë në përfundimin e asfaltimit të segmentit rrugor që lidh qytetin e Gjirokastrës me fshatrat e komunës Lunxhëri.Investimi i nisur katër vjet më parë, u suprimua në vitin 2005 prej qeverisë aktuale me justifikimin e gjetjes së shkeljeve ligjore në përcaktimin e llojit të rrugës. Sipas investitorëve të para katër viteve rruga ishte përcaktuar si "rrugë nacionale" dhe jo "si rrugë rurale", ashtu siç është në të vërtetë. Punimet që janë kryer përgjatë një distance prej 5 kilometrash, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një shifër që arrin në 55 milionë lekë. Sipas nënkryetarit të Komunës së Lunxhërisë, Kosta Binjaku, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është donatori i vetëm që në këtë rast do kontribuojë në përfundimin e këtij aksi që lidh dy fshatrat e para të komunës Lunxhëri. Vlera prej 28 milionë lekësh do të shërbejë për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës së bashku me veprat e artit nga fshati Valare e deri në Shën Todhër. Rruga nga Ura e Lumit në të hyrë të qytetit të Gjirokastrës e deri në fshatin Nokovë me gjatësi 10.2 km ka filloi të ndërtohej në vitin 2004 me iniciativë të ish kryeministrit Fatos Nano, si dhuratë e qeverisë socialiste për zonën e origjinës së tij. Por me mbërritjen e PD në pushtet në 2005 kjo rrugë nuk vazhdoi të ndërtohej sepse u gjetën mjaft abuzime me fondet e akorduara pasi shuma e përgjithshme prej 235 milionë lekësh e kalonte në rrugë nacionale dhe jo rurale. p.n.