E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau në 2005-n, arrestohet në Irlandë Artan Hysaj

02/09/2009  Së bashku me tre shqiptarë Hysaj rrahu për vdekje britanikun Kalvinder Singh

TIRANE- Një shqiptar është prangosur nga policia irlandeze pasi dyshohet se ai në bashkëpunim me tre atdhetarët e tij, kanë vrarë me sende të forta shtetasin britanik Kalvinder Singh. Emri i 32-vjeçarit shqiptar është Artan Hysaj ose (Taçi) dhe prej vitesh banonte si emigrant në kryeqytetin irlandez. Sipas raportimeve të agjencisë botërore të lajmeve BBC, mësohet se prej disa kohësh policia e qytetit të Maçesterit në Angli, kishte prerë një urdhër arresti për 32-vjeçarin shqiptar të arrestuar si dhe për dy bashkëpunëtorët e tij, Emirjan Hysenajn dhe Alfred Kurtin. Detektivet irlandez e kanë arrestuar Hysajn teksa ai ishte duke punuar në kuzhinën e restorantit “Il Sorrizo” në Dublin. Aktualisht Hysaj do të përballet me një proces ekstradimi në Irlandë pasi policia e Manchesterit, ku ndodhi vrasja, ndaj tij ka lëshuar një fletë arresti ndërkombëtar me akuzat e vrasjes, dëmtime trupore dhe prishje të rendit me anë të dhunës. Detektivi Sgt James Kirean i tha gjykatës në Dublin se gjatë momentit të arrestimit e pyeti shqiptarin për krimin që akuzohej, dhe ai i ishte përgjigjur se ishte informuar për akuzën që i kishin ngritur, por në jetën e tij ai nuk kishte vrarë asnjë njeri. Për të njëjtën krim në 2005-n u dënua me burgim të përjetshëm shtetasi shqiptar Marjon Semej. Ndërkohë që nga ana tjetër prokurori anglez Det Supt Martin Bottomley, që kreu hetime lidhur me rrahjen dhe më pas vdekjen e britanikut Kalvinder Singh, ka arritur në konkluzionin se Artan Hysaj së bashku me dy shqiptarët e tjerë të shpallur në kërkim, janë bashkautorë të kësaj ngjarje. Sipas tij krimi ka ndodhur mbrëmjen e 10 prillit të 2005 ku viktima së bashku me disa miqtë e tij, kishin qenë duke festuar në një party që organizohej në një prej lokaleve të Maçesterit. Pikërisht në ambientet e këtij lokali ndodheshin edhe katër shqiptarët që dyshohet se kanë rrahur për vdekje 31-vjeçarin anglez dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Mësohet se përveç 15 telefonatave që kanë dhënë informacione të sakta mbi identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, një vlerë tepër të madhe për hetuesit anglezë ka luajtur një video amatore, pasi një person që ndodhej në momentin e sherrit, ka mundur të filmojë skenën e dhunshme dhe katër shqiptarët. Kjo video u sekuestrua nga hetuesit anglezë, dhe pas këqyrjes ata mësuan se viktima ishte goditur nga katër shqiptarët me shkopinj bejsbolli. Aktualisht po punohet për arrestimin e dy personave të tjerë që janë shpallur në kërkim.

Ataku në zemër

Pas keqtrajtimit nga katër shqiptarët, 31-vjeçari Kalvinder Singh, i cili qe i martuar me dy gra, personat që kanë qenë në vendin e ngjarjes e kanë transportuar me shpejtësi në spitalin “Salfords”, por pas një ataku në zemër që pësoi, 31-vjeçari anglez nuk mundi të jetojë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje është njoftuar policia, e cila pas 5 ditësh hetime mundi të zbardhë identikitin e katër shqiptarëve, që mendohet se kanë qenë protagonistët kryesorë të këtij krimi. Për gjetjen e emrave të tyre, policia angleze bashkëpunoi me policinë shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›