E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorcet, 2009-a dyfishon rastet

02/09/2009  Berat, kryesisht nga zonat rurale

BERAT- Në krahasim me vitin e kaluar numri i divorceve ka ardhur duke u rritur. Sipas burimeve të gjykatës së rrethit të Beratit, bëhet e ditur se për vitin 2008 u shënuan 284 raste zgjidhje martese. Ndërsa për këtë vit ku kanë kaluar 8 muaj divorcet e kanë tejkaluar këtë shifër. Po sipas gjyqtarëve që kalojnë në proces gjyqësor çështje të tilla, citohet se përqindja më e madhe e çifteve që ndahen janë martesat e hershme ku të rinjtë janë martuar në moshë të re dhe martesat që lidhen nga njohja që i bëhet çiftit nga një person i tretë. Kategoritë e këtyre çifteve janë më shumë nga zonat rurale dhe pikërisht nga fshatrat e rrethit të Beratit. Të njëjtin fakt e bën të ditur psikologjia dhe ekspertja për çështjet civile pranë gjykatës Juvina Qevani, e cila citon se pjesa më e madhe e divorceve ndodhin nga çiftet që jetojnë në zonat rurale. Sipas Qevanit, shkaku kryesor nuk janë më problemet ekonomike, por ato sociale të këtyre çifteve. Në çiftet e shumta që kërkojnë zgjidhje martese dominon mungesa e besnikërisë nga njëra apo tjetra palë në çift, gjë e cila çon në prishjen e familjes. Në shumë çifte që janë të martuar herët dhe ato që janë lidhur me mblesëri ka kërkesë më shumë për të zgjidhur martesën e tyre. Edhe pse ka ndërhyrës të ekspertëve për pajtim, konfliktet e lindura e kanë bërë të pamundur ribashkimin e çifteve. Qevani citon se dalja e urdhrit për mbrojtje të gruas nga gjykata ka shtuar dhe rastin e femrave që kërkojnë divorc nga bashkëshortët. Në këtë kategori më të prirura për prishje të martesës janë femrat që keqtrajtohen nga bashkëshortët e tyre ku numri ka ardhur duke u rritur. “Në shumë divorce burri zakonisht ka qenë emigrant dhe gruaja ka jetuar për shumë kohë vetëm ose me periudha të shkurtra me bashkëshortin. Kjo ka çuar në lindjen e konflikteve sociale, gjë e cila ka çuar dhe në kërkesën për divorc. Ndërsa nuk ka një ndarje të theksuar se ka më shumë meshkuj apo femra që duan të divorcohen, pasi ato qëndrojnë në një raport të drejtë”, përfundon Qevani. Gjithashtu gjatë procesit gjyqësor për zgjidhjen e martesave sipas burimeve nga gjyqtarët, një konflikt i madh bëhet dhe për mbajtjen e fëmijëve. Ligji për mbajtjen e fëmijës favorizon nënën, e cila ka të drejtë të kujdeset për të, ndërsa kundrejt të ardhurave që disponon, babai është i detyruar të paguaj një shumë të caktuar për rritjen e fëmijëve, që në shumë raste arrin deri në 20 mijë lekë. Por në shumë raste për shkak të zemërimit të thellë, babai nuk ka pranuar të paguaj detyrimin ligjor për fëmijën dhe në këtë rast kanë ndihmuar ligjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›