E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau nënën për babain, dosja në gjykatë

Krimi në familje


Viktor Prendi, ish-trupërojë i PAB-ve të kryeqytetit akuzohet për vrasje për motive të dobëta


TIRANË- "Vrava nënën sepse nuk e donte babanë. Ajo e ka trajtuar keq tërë jetën".


Me këto fjalë ish-turproja i PAB-eve të ndryshme në kryeqytet, i pandehuri Viktor Prendi, ka pranuar vrasjen e nënës së tij Vitore Prendi mbrëmjen e 9 janarit të këtij viti dhe tashmë para togave të zeza do të përgjigjet për akuzën e "vrasjes me dashje" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake".


Prokuroria e kryeqytetit, pas hetimeve gjashtëmujore ka arritur të mbyllë fazën hetimore dhe ta dorëzojë dosjen penale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila pritet të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe togave të zeza, kancelaria e së cilës me anë të shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Bujar Krasniqi për gjykimin e dosjes me nr. 1572.


Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, mësohet se i pandehuri Viktor Prendi ka pranuar dhe rrëfyer vrasjen dhe arsyen që e dërguan deri tek ky ekzekutim me pesë fishekë të automatikut "Kallashnikov" që mbante pa leje në banesë. "Arsye pse e qëllova nënën me automatik, është se e vrava për nder të babait pas vdekjes.


Pasi nëna Vitore Prendi e urrente babanë tim, i cili ndërroi jetë vetëm 10 ditë para vrasjes që kreva",-mësohet të jetë shprehur gjatë fazës hetimore 38- vjeçari nga fshati Prush i komunës Vaqarr të rrethit të Tiranës. Sipas akuzës, fillimisht nënë e bir ishin zënë me fjalë duke debatuar edhe me të bërtitura, që ka degjeneruar më pas në shkrepjen e armës automatike që 38- vjeçari e mbante në banesë.


Pas vrasjes së nënës, sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri ka tentuar të vrasë veten nga dëshpërimi, por, për fatin e 38 vjeçarit, arma automatike nuk kishte më fishekë brenda karikatorit. Arsyeja pse kishte tentuar të vriste veten, sipas dosjes me nr. 1572 ka qenë frika e hakmarrjes ndaj tij nga vëllezërit e nënës që banonin jo larg nga banesa ku ndodhi ekzekutimi i Vitore Prendit.


Pas të shtënave të dëgjuara, fqinjët e familjes Prendi kanë lajmëruar policinë, e cila me të ardhur pranë banesës ku ndodhej viktima kanë hasur në dorëzimin e autorit të krimit, 38- vjeçarin Viktor Prendi, ish-turproja i disa PAB-eve në kryeqytetet, por, që kohët e fundit merrej me punë fizike, në ndërtim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›