E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë studentët dënohen me kusht për para false

VENDIMI

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet vendosi deklarimin fajtor të pesë studentëve të pandehur dhe dënimin e tyre me kusht për katër vitet e ardhshme për kryerjen e veprës penale të "Falsifikimit të monedhave" në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit:


Rogert Karaj 23-vjeç, Bedri Noka, 24-vjeç, Shyqyri Dushku, 23-vjeç, Kliti Zyka, 20-vjeç dhe Ervis Toshku, 23-vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme kanë kryer akuzën e "falsifikimit të monedhave" të huaja, duke i futur më pas në qarkullim.


Për kryerjen e kësaj vepre penale, të pandehurit u dënuan me nga 3 vjet e 4 muaj burg secili, por, në aplikim të gjykimit të shkurtuar dhe falë statusit të tyre si studentë, gjykata vendosi lirimin e tyre dhe dënimin me kusht për katër vitet e ardhshme për të mos kryer ndonjë vepër tjetër penale.


Sipas vendimit, të pandehurit e hetuar e gjykuar në gjendje të lirë janë arrestuar nga sektori i Antikrimit Ekonomik-Financiar pranë Policisë së Tiranës në zonën afër Qytet Studentit, të cilët më pas janë liruar me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje" nga Gjykata e Tiranës.


Sipas akuzës, në momentin e arrestimit pesë të pandehurve policia iu ka gjetur dhe sekuestruar një shumë parash prej 900 euro, të cilat rezultuan të falsifikuara. Më pas, gjatë kontrollit të vendeve të banimit të tyre, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe 2100 euro të tjera, po të falsifikuara. Organi i akuzës, nuk arriti të provojë se nga kush janë falsifikuar konkretisht kjo shumë parash, por, provoi se të pandehurit i kishin futur në treg, duke blerë gjera të ndryshme.


Tentoi të vrasë tre persona, kamionisti i pandehur


TIRANË- Mbyllet hetimi nga prokuroria e kryeqytetit, për Artur Prengën dhe Dritan Agën të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe shkatërrim prone dhe fyerje për shkak të detyrës ndaj Lulëzim Zeqajt dhe dy personave të tjerë, kushërinj të tij si dhe ndaj efektivëve të Policisë së komisariatit nr.1.


Sipas burimeve të policisë, Prenga akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë, ndërsa Aga, për veprën penale të fyerjes për shkak të detyrës pasi sipas njoftimit të policisë në atë kohë, ai nuk ka pranuar të shkojë me efektivët e policisë në komisariati.


Pas më tepër se nëntë muajsh hetim të kryer nga prokuroria e rrethit, është mbyllur hetimi, ndërsa dosja në ngarkim të dy personave, është dërguar nga prokuroria në Gjykatën e Tiranës duke u regjistruar me datën 7 korrik.


Kjo e fundit është hedhur në short elektronik, duke iu caktuar gjyqtarit Kreshnik Omari për të shqyrtuar dosjen. Ngjarja për të cilën akuzohen personat ka ndodhur më 29 nëntor të vitit të kaluar, kur Lulëzim Zeqaj, 33 vjeç, ka mbetur i plagosur bashkë me dy persona të tjerë për shkak të një konflikti dhe si autor ishte identifikuar Artur Prenga.


I plagosuri është tërhequr zvarrë të paktën 5 metra, nga një fuoristradë që shtyhej nga një kamion me targa DR 6024 E që drejtohej nga Artur Prenga, 31 vjeç, edhe ai nga Shkoza.


Pas kësaj ngjarjeje, Prenga është larguar me kamionin, duke u përplasur më pas me një autobus të linjës së ish-Uzinës së autotraktorëve. Nga ky karambol nuk ka pasur të dëmtuar apo të plagosur, por Prenga ka braktisur mjetin, duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.


Nga hetimi i kryer, policia ka mësuar se një i afërm i Prengës ka punuar në një servis me pronarët e të cilit kishte lidhje i dëmtuari Zeqaj, që u tërhoq zvarrë me makinë. I afërmi i Prengës është larguar nga puna, ndërsa ata janë konfliktuar në një lokal në lagjen Shkozë në periferi të Tiranës disa ditë para ngjarjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›