E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: I sëmuri mendor masakroi plakën 91-vjeçare

 

ELBASAN - I sëmuri psikik vrau 91-vjeçaren. Policia e Elbasanit arrestoi mbrëmë Adem Ballën, 50 vjeç, banor i fshatit Griqan si personin e dyshuar për autorësinë e krimit të rëndë ndaj të moshuarës Farie Rranci. Mësohet se Balla ka treguar se e kishte vrarë plakën me thikën e bukës, në kohën kur ajo për punonte një triko në oborrin e shtëpisë. Autori është identifikuar si i tillë falë punës që kanë bërë forcat e policisë, të cilat që pas ngjarjes e deri në arrestimin e tij kanë marrë mbi 60 dëshmi të banorëve të fshatit Griqan. Kjo zonë u trondit nga masakra ndaj 91-vjeçares. Për policinë, Balla njihet si person me të meta mendore. Ndaj tij është kërkuar kryerja e një ekspertize tjetër psiko-ligjore, por deri atëherë hetimi do të kalojë në duart e prokurorisë. Si provë për krimin janë marrë rrobat e 50-vjeçarit, të mbuluara me njolla gjaku, të cilat u gjetën pas shtëpisë ku banon Balla. Autori është fqinj me familjen e viktimës Rranci. Ajo u masakrua dhe u tërhoq zvarrë pasditen e së shtunës, duke gjetur vdekjen në mënyrë barbare. Kanë qenë të afërm të familjes, por dhe banorë të fshatit ata që kanë ndihmuar policinë me dëshmitë e tyre në identifikimin e autorit të vrasjes që ndodhi tre ditë më parë në mbrëmje në fshatin Griqan. Edhe më parë, Balla ka krijuar probleme në fshat, por jo të tilla, duke e bërë praninë e tij tepër të rrezikshme për jetën e njerëzve të zonës. Për këtë çështje është angazhuar dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi deri para arrestimit të autorit nuk dihej se cili ishte shkaku dhe personat që fshiheshin pas një ngjarje të tillë makabre. Pavarësisht gjendjes së rëndë mendore, Balla nuk ishte shtruar në ndonjë spital psikiatrik, duke u bërë shpesh burim agresioni për banorët.                   a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›