Vrau shokun pas debatit politik, në gjyq Prengzi
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet nën akuzën e vrasjes për Halil Prengzin. 50-vjeçari akuzohet se ka vrarë me armë të ftohtë shokun e tij, pas një debati politik. Sipas prokurorisë, dosja mban numrin 2007 dhe pas shortit elektronik në gjykatë ka rezultuar se gjyqtari Arben Broci do ta gjykojë këtë çështje. Në dosje thuhet se në mesin e muajit maj, Halil Prengzi dhe Naim Rama janë takuar në një lokal në afri të institutit bujqësor në Kamzë dhe kanë rihapur debatin e një viti më parë, të favorizuar edhe nga konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike. Fillimisht debati ka nisur nga tavolina në tavolinë, me ironi e më pas është kthyer me fyerje dhe kërcënime. Kjo situatë ka zgjatur disa minuta dhe më pas dy protagonistët kanë dalë jashtë dhe kanë filluar të zihen me grushte. Në gjaknxehtësi e sipër, Halil Prengzi, ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur bashkëmoshatarin e tij, Naim Rama, duke e lënë të plagosur. I dëmtuari u dërgua në Spitalin Ushtarak, dhe pas 10 ditësh ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Prokuroria thotë se motivi i kësaj ngjarjeje është cilësuar banal, pasi autori dhe viktima kishin hapur një debat politik.