E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dejtoni 2", përjetime të ndryshme nga brenda dhe nga jashtë

Nuk është fort e qartë se çfarë u arrit konkretisht në Butmir të Bosnjë-Hercegovinës (B-H), ku me nismën e bashkësisë ndërkombëtare këto ditë u zhvillua një takim i dytë, me dyer të mbyllura, me pjesëmarrjen e liderëve të shtatë partive politike kryesore të Federatës së B-H-së dhe të përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, konkretisht të komisionerit europian për zgjerimin të BE-së, Oli Ren, ministrit të Jashtëm të Suedisë dhe njëherazi president i radhës së BE-së, Karl Bildt, zv.sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Xhejms Shtajnberg, dhe të përfaqësuesit të lartë të OKB-së në B-H, Valentin Incko. Ky takim ishte në fakt përpjekja e dytë e bashkësisë ndërkombëtare për të ulur në një tryezë liderët politikë më të lartë boshnjakë, kroatë dhe serbë, me synimin që ata të merren vesh me konsensus për të ardhmen e Federatës së B-H-së, e cila në kushtet e tanishme ndodhet e përfshirë në një krizë të thellë politike, sipas disa analistëve, në prag të shpërbërjes.
Nëse kihen parasysh deklaratat që bënë menjëherë mbas këtij "Dejtoni 2", sikurse po bëhet zakon të quhet takimi i fundit i Butmirit, liderët politikë vendas pjesëmarrës mbajtën qëndrime kundërshtuese ndaj dokumentit që parashtruan në këtë takim BE-ja dhe SHBA-ja, i cili ofronte disa ndryshime në Kushtetutë për zgjidhjen e krizës politike të tanishme. Për Kryeministrin e Republikës Srpska dhe liderin e partisë kryesore serbe (SNSD), Millorad Dodik, paketa e ndryshimeve e ofruar nga bashkësia ndërkombëtare nuk përbënte bazë për bisedimet midis partive politike boshnjake, kroate dhe serbe. Kurse, sipas Haris Silajxhiçit, kryetar i partisë politike kryesore boshnjake, dokumenti i ofruar nuk i shërben as minimumit të demokracisë së B-H-së. Dragan Çoviç, lideri i HDZ-së kroate, nga ana e tij, vuri në dukje se Federata e B-H-së nuk do të mund të mbijetojë nëse nuk do të jetë shtet i tre popujve konstituivë me të drejta të barabarta që e përbëjnë këtë federatë.
Por, megjithatë, dyshja europiano-amerikane nuk është kaq skeptike si politikanët e lartë vendas. Shefi i diplomacisë suedeze, Karl Bildt, vuri në dukje mbas takimit, se bisedimet ishin produktive, sepse ato përbënin një hap përpara në drejtimin e duhur, megjithëse, sikurse theksoi ai, "nuk duhet të kemi shumë iluzione se të gjitha problemet në Bosnjë do të zgjidhen menjëherë". I të njëjtit mendim ishte edhe zv.sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg, sipas të cilit bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë e angazhuar në B-H, sidomos në kohën e tanishme që është vendimtare për të ardhmen e këtij shteti.
Sidoqoftë, më optimist nga të gjithë është përfaqësuesi i lartë i OKB-së në B-H, Valentin Incko (austriak), i cili kritikoi me forcë skenarët dhe spekulimet e ndryshme që bëhen në median rajonale dhe ndërkombëtare rreth një lufte të re eventuale në B-H. "Nuk janë reale paralajmërimet për një shpërthim eventual lufte në B-H. Bashkësia ndërkombëtare i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme që të parandalojë çdo lloj konflikti dhe të jini të sigurt për këtë. Media synon sensacione për këtë ose atë arsye, por unë mendoj se është mjaft e papërgjegjshme të bësh spekulime të tilla lufte kur është fjala për B-H-në", theksoi, midis të tjerave, z. Incko në një intervistë që i dha këto ditë një prej gazetave kryesore të përditshme boshnjake "Dnevni Avaz". Sipas tij, ky vend ka nevojë për dialog, për një funksionim më të efektshëm dhe për hapa të tjerë drejt Bashkimit Europian. "Ky vend, tha ai, akoma nuk i ka mbyllur plagët e vjetra dhe askush nuk duhet të përpiqet të hapë plagë të reja. Lidhur me informacionet e përhapura se, duke gjykuar nga deklaratat e liderëve politikë kryesorë vendas pjesëmarrës, takimi i Butmirit kishte dështuar pa filluar mirë, përfaqësuesi i lartë i OKB-së, njohës nga afër i situatës në B-H, vuri në dukje se kjo nuk është e vërtetë, sepse "të gjithë liderët politikë ranë dakord në Butmir se bisedimet duhet të vazhdojnë dhe për mua është një lajm i mirë. Bashkësia ndërkombëtare në këtë takim vuri në tavolinë propozime konkrete lidhur me ndryshimet kushtetuese. Vetëm se duhet vullnet politik dhe duhet të krijohet një klimë e favorshme që procesi i filluar të vazhdojë", vuri në dukje Incko, sipas të cilit bashkësia ndërkombëtare do të bëjë të gjitha përpjekjet që ky proces të vazhdojë.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›