Berisha: Do rindërtojmë shkollat sa më shpejt
Mëngjesin e 7 shtatorit, Kryeministri Sali Berisha u takua me banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i fuqishëm që preku Qarkun e Dibrës. Ai u premtoi se qeveria që ai drejton do të ndërhynte në mënyrë energjike dhe shumë të shpejtë për të riparuar dëmet dhe për të rikthyer në normalitet jetën e tyre. "Ekipet kanë ardhur, por thashë t‘ju dëgjoj në vend, në lidhje me problematikën dhe ndërhyrjet e shpejta që duhet të bëjmë për të normalizuar jetën e atyre qytetarëve që e kanë të pamundur të banojnë në shtëpitë e tyre, si dhe për të ndërmarrë një veprim të shpejtë për rindërtimin e kopshteve, shkolla, që mund të jenë të dëmtuara dhe që janë të papërdorshme. Ministria do të drejtojë bashkë me autoritetet vendore procesin e vlerësimit, në mënyrë që të fillojnë ndërhyrjet sa më shpejt që të jetë e mundur, sidomos në shtëpi, por edhe në ato një apo dy shkolla që janë bërë të papërshtatshme. Të shohim se çfarë mund të bëhet me ndërhyrjet gjatë kësaj kohe të ngushtë që kemi, prej shumë pak ditësh, të mendojmë se çfarë do të bëjmë me fëmijët gjersa t‘u garantojmë shkollën", ka premtuar Berisha.