Si ta duash fqinjin?
Politikat e reja të strehimit kanë çuar nënshkrimin e marrëveshjes së parë në këto vite mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar mesditën e së shtunës mes Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Bashkisë së Fierit. Si palë e tretë në këtë marrëveshje vjen Co-Plan. Marrëveshja ka si qëllim testimin në një bllok pallatesh të menaxhimit dhe jetesës në komunitet. Mësohet se do të testohet kursimi i energjisë, si dhe bashkëjetesa në komunitet. "Ky projekt do të kontribuojë për futjen e investimeve edhe nëpër blloqet e pallateve të banimit, duke përfituar edhe nga kuadri rregullator i krijuar rishtazi përmes ligjit të ri për administrimin e bashkëpronësisë", tha Dritan Shutina, drejtor ekzekutiv i Co-Plan. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, tha se "ky projekt është një mundësi shumë e mirë për të testuar ligjin e ri të sapoaprovuar, për të parë sesi finalizohet ky ligj në një situatë konkrete dhe për ta përdorur këtë model në nivel kombëtar". Projekti, i financuar nga Ministria e Punëve Publike, do të nisë nga zbatimi në fillim të vitit të ardhshëm.
m.t.
m.t.