Bulqizë, harrohen shkollat e dëmtuara nga tërmeti
Ndërkohë që prej disa ditësh ka nisur shpërndarja e dëmshpërblimeve për banorët e rrethit të Bulqizës, të prekur nga tërmeti i 6 shtatorit të këtij viti, për shkollat e dëmtuara, qeveria nuk ka sjellë asnjë qindarkë. Me gjithë premtimet e Kryeministrit Berisha, kur vizitoi zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm, ende nuk ka ardhur asnjë fond për rikonstruksionin e godinave të shkollave të dëmtuara. Përveç mijëra shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Gjoricë dhe komunat fqinje me të, Ostren, Zerqan, Shupenzë, Fushë-Bulqizë etj., në bilancin e dëmeve u raportuan se të paktën 3 shkolla, dy në Gjoricë, ku dhe ishte epiqendra e këtij tërmeti dhe një në Komunën e Shupenzës, rezultuan tejet të dëmtuara nga lëkundjet e forta të tokës. Kështu, shkollat 9-vjeçare në fshatin Lubolesh dhe ajo fillore në fshatin Çerenec, të Komunës Gjoricë, si dhe ajo në fshatin Boçevë, të Komunës Shupenzë, u cilësuan nga ekspertët e grupeve të verifikimit të qeverisë, si të papërshtatshme për të zhvilluar mësim. Dridhjet e tokës krijuan plasaritje të mëdha në muret dhe tavanet e godinave, ku zhvillojnë mësim qindra fëmijë të kësaj zone. I njëjti vlerësim u bë edhe nga specialistët e komunës dhe zyrës arsimore Bulqizë. Por ndonëse këto tri shkolla u cilësuan si të pasigurta për nxënësit, pasi rrezikohen çdo moment nga shembja, në to zhvillohet normalisht mësim. Pamundësia për të siguruar ambiente të tjera për mësim qoftë edhe me qira, e ka detyruar stafin pedagogjik të vijojë mësimin krejt normalisht sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Prindërit nga ana tjetër, janë detyruar t‘i çojnë fëmijët, për të mos braktisur shkollën.
"Pasi e pamë se askush nuk po interesohej për sigurimin e ambienteve të sigurta për shkollimin e fëmijëve, u detyruam t‘i dërgojmë ata në shkollat e dëmtuara, për të mos i lënë fare pa shkollë", thonë banorët e këtyre fshatrave. Ndërkaq, asnjë nga pushtetarët vendorë nuk mund të japë një përgjigje të pyetur për situatën e krijuar. Askush nuk di se kur do të mbërrijnë investimet e pritshme për shkollat e dëmtuara nga tërmeti në juridiksion të tyre. Aq më pak nëse fondet do të vijnë nga emergjencat civile, apo do të jenë investime të MASH-it. Sidoqoftë, deri në sigurimin e këtyre fondeve, qindra nxënësve të të tria shkollave të dëmtuara, do t‘u duhet të bëjnë mësim në kushte ekstreme, kur jeta e tyre vihet seriozisht në rrezik. Situata është bërë mjaft problematike, sidomos gjatë këtyre ditëve, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. I ftohti dhe shiu që bie jashtë, depërton në ambientet e brendshme të këtyre shkollave, duke vënë në rrezik serioz shëndetin e këtyre fëmijëve.
Hy.Li.