E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse Rusia e mbështet Serbinë?

Ndikimi rus në Ballkan është dobësuar në 20 vitet e fundit, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Por, Serbia e sheh sot Rusinë si aleat politik që vazhdon ta mbështesë. Mbështetje pret edhe Rusia. Serbia është vendi i vetëm në Ballkan ku shumica e popullsisë nuk do të anëtarësohet në NATO, për shkak se Aleanca Veriatlantike pati bombarduar vendin në vitin 1999. Qeveria e Serbisë e konsideron Rusinë si mike të vërtetë të politikës së saj për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Vizita e Presidentit rus, Dmitri Medvedev, të martën në Beograd, i ka forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe nuk mund të flitet për vendosje të marrëdhënieve mbi baza të reja, thekson Dushan Reliç nga Instituti për Politikë Ndërkombëtare dhe Siguri, i cili para ca kohësh ka publikuar një studim për "Kthimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor".
"Rusia nuk pret që Serbia të jetë ndonjëherë pjesë e integrimit rus. Rusia llogarit me atë që Serbia, ashtu sikurse shtetet e tjera ballkanike, një ditë të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe që Serbia në kuadër të BE-së të bashkëpunojë më shumë me Rusinë se sa bashkëpunojnë sot shtetet baltike apo vendet e Europës Qendrore dhe Lindore", pohon Reliç.

S‘ka zgjidhje tjetër përveç pranimit në BE
"Rusia e ka të qartë se Bashkimi Europian nuk ka tjetër zgjedhje përveç se një ditë t‘i pranojë të gjitha vendet e Ballkanit", thotë Alexander Rahr, analist dhe drejtor i programit për Rusinë dhe Euroazinë pranë shoqatës gjermane për politikë të jashtme. "Të lësh Serbinë jashtë dhe të pranosh Kroacinë e Slloveninë, do të thoshte të krijosh një gjendje të pabalancuar në Ballkan, nga e cila do të shkaktohej edhe më shumë pasiguri", thotë Rahr. Njëkohësisht Rusia planifikon që të shfrytëzojë gjendjen gjeopolitike të Serbisë dhe Ballkanit, në mënyrë që në 50 vitet e ardhshme të vazhdojë të shesë gazin e saj në Europën Perëndimore dhe Juglindore.
"Struktura e tanishme e gazsjellësve është ajo e vjetra që prej kohës së Luftës së Ftohtë. Ka shumë pak gazsjellës dhe ata kalojnë nëpër shumë pak vende. Ata nuk mjaftojnë për transportimin e sasisë së gazit që Europa dëshiron të ketë nga Rusia dhe Rusia do t‘ia shesë Europës. Prandaj, Rusia provon që të ketë në krahun e saj disa vende, para së gjithash edhe në Ballkan, të cilat në të ardhmen do të marrin përsipër rolin e stacioneve shpërndarëse për gazin rus. Serbia me siguri që është një prej vendeve më të preferuara nga Rusia", pohon Rahr.

Gazi zëvendëson raketat
Rëndësinë që kishin raketat gjatë Luftës së Ftohtë sot po e fiton gazi. Ai është arma më e rëndësishme politike. Vendet e Ballkanit dhe vendet e tjera të Europës Qendrore dhe të Lindjes kanë marrë shumë shpejt mësim nga rasti i Ukrainës, vlerëson Rahr. Varësia nga Moska mund të zvogëlohet në rast se nuk je vetëm blerës i gazit të saj, por edhe vend transit i tij. Në qoftë se gazsjellësi ruso-italian "South Stream", do të ndërtohet siç është planifikuar deri në vitin 2015, atëherë Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit do të kenë një lloj monopoli për kalimin transit të mallit më të rëndësishëm të Bashkimit Europian. Kjo do të thotë që vendet e vjetra themeluese të Bashkimit Europian, si Gjermania, Italia apo Franca, do të duhet të ndryshojnë edhe politikën e deritanishme ndaj Serbisë, sqaron Rahr.
"Prandaj, vendet angazhohen që ta fitojnë këtë status. Serbia mëson me shumë shkathtësi në këtë mes nga Turqia, pasi e ka kuptuar se vetëm kur të jetë vend i madh transit për gazin rus do të trajtohet seriozisht nga Bashkimi Europian", shpjegon Rahr.
Shumë analistë dhe politologë pohojnë se Presidenti aktual i Serbisë, Boris Tadiç, provon të ekuilibrojë raportet në mes Lindjes dhe Perëndimit, ashtu siç pati bërë Tito me shumë sukses gjatë Luftës së Ftohtë. Tadiçi shpreson që kështu Bashkimi Europian do të jetë i gatshëm të bëjë më shpejt lëshime, në mënyrë që Serbia të mos kthehet në një levë të politikës ruse në Ballkan.
Selma Filipoviç, "Dojçe Vele"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›