Vrau shokun për 7 mijë USD, dënohet 25 vjet
SHKODER – Për 7 mijë dollarë vrau shokun nga Amerika, dënohet me 25 vjet heqje lirie. Nikë Gjeka u dënua dje nga Gjykata e Shkodrës, pasi u akuzua dhe u shpall fajtor për ekzekutimin e Artan Bablushit, më 4 tetor 2007. Gjeka e priti emigrantin nga Korça sapo ai zbriti në aeroport, por në vend që të çmallej me të e qëlloi me disa plumba pistolete. Viktima u gjet 8 ditë më vonë në një gjendje tejet të dekompozuar. Pas hetimeve rezultoi se personi që e kishte ekzekutuar ishte Nikë Gjeka për shkak të shumës së parave që emigranti 28-vjeçar kishte sjellë me vete. Dy shokët kanë luajtur natën e krimit në lokale lojërash fati, duke humbur sasi të mëdha parash. Pasi ka lënë të gjitha lekët që Gjeka kishte me vete ai mësohet t’i ketë marrë borxh viktimës 7 mijë dollarë. Por, ndonëse ai i ka hedhur paratë për të fituar, ato i kanë humbur në lojë, duke e lënë sërish trokë. Emigranti i ka kërkuar paratë, pasi do të shkonte në shtëpi. Gjeka e ka mashtruar, duke i thënë se paratë i kishte në shtëpi, në një fshat të Shkodrës. Rrugës, Gjeka e ka qëlluar shokun me një pistoletë që mbante në makinën e tij. Trupi i viktimës u gjet disa ditë më vonë, në gjendje thuajse të dekompozuar, ndërsa autori u arrit të identifikohej në bazë të dëshmive të dhëna prej personave, që i panë dy shokët momentet e fundit. r.d