E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima akuzoi kryekomunarin

 

SHKODER / RIDVAN DIBRA

Zbardhet nga dëshmitarët sherri i ndodhur mbrëmjen e së hënës mes kryekomunarit të Pultit, Sokol Cubi dhe Dodë Hilit, që përfundoi me një të vdekur dhe një të plagosur. Dëshmitarët e ngjarjes kanë pohuar në polici se Hili e kishte akuzuar Cubin se po ndërhynte që të nxirrte nga burgu gjakësin e tij, në mënyrë që të merrte hak. Viktima Hili, 51 vjeç ishte liruar rreth një muaj më parë nga burgu, pasi vuajti dënimin me 12 vjet burg për një vrasje të kryer kohë më parë. Pikërisht se mos humbte lirinë, ka bërë që situata të agravohet ndërsa dy personat ndodheshin në lokal, duke bërë që sherri mes tyre të përfundonte me vrasjen e Hilit prej kryekomunarit. Të paktë dëshmitarë që ndodheshin në lokalin buzë rruge, shumë pranë spitalit të Shkodrës, treguan se Hila kishte qenë në lokal kur ka parë të kalonte kryekomunari. Ai e ka ftuar 40-vjeçarin Cubi, bashkëfshatarin e tij, për t’u ulur në të njëjtën tavolinë. Në këtë moment, i sapoliruari nga burgu ka nisur ta akuzojë se kryetari i komunës Pult në Dukagjin, po përpiqej që të nxirrte nga qelia gjakësin e tij, në mënyrë që të vriste Dodë Hilin për hakmarrje. Mësohet se Sokol Çubi e ka mohuar këtë, duke iu shprehur 51-vjeçarit se ai ishte i nevrikosur dhe bisedën do e bënin një herë tjetër. Ndërkaq, ai është larguar për te tavolina ku e priste një shok i tij. Duket se Hili kishte thurur planin në mendje dhe në momentin që Sokoli është nisur për të paguar e ka ndjekur nga pas, duke e qëlluar me thikë. Kryekomunari ka tentuar ta shtyjë jashtë lokalit, ndërsa mori dhe goditje të tjera. Sapo ka dalë te dera ka mundur të nxjerrë armën që mbante me leje, duke qëlluar Hilin. Këtë pohim kanë dhënë dëshmitarët në polici, ndërsa familjarët e dy personave kanë mohuar që mes tyre të ketë pasur konflikte të mëparshme. Megjithatë, për policinë e Shkodrës, vetëm rrëfimi i 40-vjeçarit do të hedhë dritë mbi motivet e sakta të sherrit, që shkaktoi gjakderdhjen mes tij dhe Dodë Hilit. Policia e Shkodrës është në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të 40-vjeçarit, për ta marrë atë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë që prokuroria ka vendosur arrestimin e kryekomunarit, pasi ai akuzohet për vrasjen e një shtetasi. Aktualisht në sallën e reanimacionit, ku ndodhet i shtruar dhe po mjekohet Cubi, janë vendosur shërbime policore, të cilat po e mbajnë nën mbikëqyrje, duke mos lejuar futjen e ndonjë personi që të kontaktojë me të. Nga burime pranë grupit hetimor, mësohet se policia ka gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale si pistoletën dhe thikën, e cila i përkiste viktimës Dodë Hili. Mësohet se Sokol Cubi është zgjedhur për të drejtuar komunën Pult prej dy mandatesh, si i zgjedhur i PS-së. Ndërsa Hili ishte dënuar më parë për vrasje. Pas dënimit me 12 vjet heqje lirie, ai ishte lënë i lirë rreth 1 muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›