E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesha e veçantë, në kishën e Shën Ndout lutje për policinë

 

LAÇ - Meshtarët e Kishës së Shën Ndout në Laç, prej disa javësh po luten për policinë. Duket se lutja e tyre ka shkuar “në vesh të perëndisë”, pasi prej gati dy muajsh në Laç nuk është shënuar asnjë aksident apo ngjarje e rëndë. Çdo të martë dhe të shtunë, ditë kur pelegrinazhi është në kulmin e tij, në meshën e mbajtur në këtë kishë lutet edhe për policët. Sipas meshtarëve, policia me punën e saj ka bërë që gjatë dy muajve të fundit të mos ndodhë asnjë aksident automobilistik të pelegrinëve që frekuentojnë këtë kishë. Gjithashtu nuk janë shënuar as probleme të tjera, ndërsa  trafiku është disiplinuar, ndryshe nga vitet e tjera. I pari që ka ngritur meshë është Patër Mikel Pllumbaj. Ai u shpreh se janë këto forca të rendit, të cilët kanë meritat për mbarëvajtjen e pelegrinëve në Kishën e Shën Ndout. Gjithashtu, prifti dhe meshtarët janë të kënaqur edhe me situatën brenda qytetit, ku gjatë javëve të fundit janë minimizuar ndjeshëm ngjarjet e rënda dhe aksidentet. “Ne duke parë punën e mirë të policisë, kur kryejmë ritet fetare çojmë meshë për ta. Lutemi për shëndet dhe paqe për policët. Lutemi për fëmijët e policëve të vrarë që zoti t’i ndihmojë ata. I lutemi zotit që t’u japë kurajo dhe ndërgjegje të pastër punonjësve të policisë, të cilët përgjigjen direkt për rendin e qetësinë”. Është kjo lutja që bëhet dy herë në javë për policët e Laçit.                      r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›