E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alarmi, pandemia e gripit të derrave është në prag”

 

zirina llambro

Pandemia e gripit të derrave është shumë pranë. Përhapja me shpejtësi e virusit në Amerikë, Azi dhe Evropë ka alarmuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila ngre alarmin. “OBSH vlerëson se pandemia është në fazën e katërt, kohë në të cilën duhet të ndërhyjmë”, u shpreh dje Silva Bino, drejtoresha e  Departamentit të Sëmundjeve Infektive. Ajo shtoi se duhen marrë masa urgjente, në mënyrë që të parandalohet hyrja e virusit të rrezikshëm në vendin tonë. Faza e katërt karakterizohet me transmetimin e virusit nga njeriu tek njeriu, me “shpërthime epidemike në komunitete”. Kjo aftësi për të shkaktuar shpërthime epidemike në komunitete, shënon një kthesë të rëndësishme për rritjen e rrezikut të pandemisë. Faza e katërt tregon se ka një rritje të rëndësishme të rrezikut të pandemisë, por nuk do të thotë që kjo pandemi domosdoshmërisht ka ndodhur. Ndërkaq një  tjetër mbledhje urgjente u zhvillua dje me drejtues të Shëndetit Publik dhe epidemiologë të të gjitha rretheve për të rritur survejancën, si dhe për të kërkuar bashkëpunimin e policisë në të gjitha pikat kufitare. Ministria e Shëndetësisë pas ngritjes së menjëhershme të Komitetit të Ekspertëve të pandemisë së gripit ka lëshuar edhe urdhrin me masat e detyrueshme, që duhet të merren. Ky urdhër vjen në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit. Sipas tij, të gjithë udhëtarët të pyeten nëse kanë qenë në zonat e prekura nga Gripi i Derrit sipas listës bashkangjitur, e cila do të përditësohet. Çdo inspektor sanitar  apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë çdo mbërritjeje të udhëtarëve dhe të vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar.     “Për çdo problem inspektori sanitar apo punonjësi shëndetësor në kufi duhet të referojë pranë Drejtorisë përkatëse të Shëndetit Publik ose të kontaktojë ISHP në numrin 2374756 ose në 0682414332 si edhe 0693087781 brenda 24 orëve”, thuhet në urdhrin përkatës. Sipas tij, çdo inspektor sanitar të sigurojë, që pranë pikës së kontrollit ka mjete të mbrojtjes personale si maska, doreza, dezinfektantë. Një tjetër rekomandim është furnizimi i të gjitha pikave farmaceutike me antivirale, kryesisht Tamiflu, i cili ka efekt vetëm nëse përdoret brenda 48 orëve nga fillimi i infeksionit. Sipas specialisteve, nëse pandemia do të ndodhë ajo zgjat deri në 8 javë dhe sipas parashikimeve mund të prekë 500 vetë në ditë dhe në kulmin e saj vdekshmëria shkon në 20 në dite. Gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›