OBSH: Alarmi në nivelin 4
Bota është në alarm nga rreziku i shpërthimit të një pandemike nga gripi i derrave. Organizata Botërore e Shëndetit e ka çuar në nivelin 4 gjendjen e alarmit për këtë virus gripi. Hera e fundit që bota u alarmua në këtë nivel nga OBSH-ja, ishte në vitin 1968, kur gripi “Hong Kong” vrau një milion njerëz. Sipas njoftimeve nga OBSH, vaksina e përshtatshme për këtë lloj virusi do të jetë gati vetëm pas 4 deri 6 muajsh. Në Meksikë numri i viktimave të virusit ka kapur shifrën 152 vetë. Lajmi i mirë nga OBSH është se evolucioni i virusit është i evitueshëm, por bota duhet të përgatitet për më të keqen. Sipas zv/drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Keiji Fukuda, fokusi do të jetë tek vendet që janë në zhvillim, pasi pikërisht në këto vende ka më shumë dëme nga epidemitë. Numri i rasteve të prekjes nga ky virus në Shtetet e Bashkuara është 50 ndërsa në të gjithë botën ka arritur në 90, duke mos llogaritur rastet në Meksikë. Në Izrael ka pasur dy raste të konfirmuara të prekjes nga virusi, ndërsa një rast i tretë po analizohet nga specialistët. As Austria nuk ka shpëtuar nga virusi. Rasti i parë është ai i një 28-vjeçareje që është kthyer së fundmi nga Meksika. Të prekurit e parë në Britani janë një çift, që ishin me muaj mjalti në Meksikë. Spanja është në alarm pas konfirmimit të një tjetër rasti të prekjes nga virusi duke e çuar numrin në dy.