E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kthen mbrapsht urdhrin e Bejës

Qeveria pezullon vendimin për shkarkimin e tremijë mësuesve në të gjithë vendin. Pas qëndrimit të këtij grupi interesi, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Arsimit, Fatos Beja, të ndryshojë udhëzimin në të cilin sanksionohej shkarkimi i tremijë mësuesve në gjithë vendin. Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, qeveria do të diskutojë edhe për ndryshimet që do të pësojë ky udhëzim.

Udhëzimi

Ministria e Arsimit ka shpërndarë një urdhër në të gjitha drejtoritë arsimore të Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës dhe Elbasanit. Vendimi i Ministrisë së Arsimit është dërguar që prej datës 5 shkurt në të gjitha zyrat e drejtorive arsimore, derisa ka gjetur edhe reflektimin nga ana e kabinetit qeveritar për ndryshimin e udhëzimit. Në këtë material thuhej se që të gjithë punonjësit mësimorë, që deri më datën 31.12.2003 kanë qenë punonjës me kontratë të përkohshme në arsim, nga data 1 janar i këtij viti nuk do të vlerësohen më si punonjës me kontratë të përkohshme. Sipas këtij udhëzimi, këta punonjës, që kryesisht janë mësues të ciklit të ulët, do të zëvendësohen nga mësues në dispozicion, që do të paguhen në bazë të orëve të mësimit. Sindikalistët kanë theksuar se ky udhëzim bie ndesh edhe me kontratën kolektive që këta mësues kanë nënshkruar. Pragfushata elektorale duket se ka shpëtuar këtë herë tremijë mësuesit nga dalja në rrugë të madhe. Ministri i Arsimit, Fatos Beja, nga ana tjetër, nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me udhëzimin që është dorëzuar në fillim të muajit shkurt në zyrat e drejtorive arsimore në kryeqytet, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan.

Qeveria

Në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Ministrave, qeveria "Berisha" do të ndryshojë vendimin që largon nga puna rreth tremijë mësues me kontratë. Burime pranë Këshillit të Ministrave sqarojnë se do të ndryshohet udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, që "penalizonte" mësuesit në pesë qarqet më të mëdha të vendit.

Në axhendën e mbledhjes së qeverisë, janë përcaktuar gjithsej 33 vendime. Disa nga vendimet më të rëndësishme që ishin përcaktuar në axhendën e Kryeministrit janë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8530, datë 23 shtator 1999, "Për Shërbimin Postar në Republikën e Shqipërisë". Me propozim të Ministrisë së Arsimit është kërkuar ngritja e Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve, e cila do të ketë nën kontroll të gjitha universitetet që operojnë në vendin tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›