Bruksel, Basha takim me Hillari Klinton
Kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, qëllimi kryesor i të cilit ishte përgatitja e dokumenteve që do të adoptohen në Samitin e Strasburg/Kehl-it nga kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Aleancës. Basha u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Havier Solana, me Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Hillari Klinton, ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Holandës, Norvegjisë, Çekisë, Kroacisë, Spanjës, Sllovenisë etj. Gjatë takimit me Bashën, zonja Klinton vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, duke shprehur bindjen se në Strasburg/Kehl Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ministri shqiptar mori vlerësimin e qartë të të gjithë interlokutorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të arritjes së standardeve të Aleancës. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, Sekretari i Përgjithshëm Scheffer dhe të gjithë homologët e tij i shprehën zotit Basha kënaqësinë që në Samitin e Strasburg/Kehl-it Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota të Aleancës, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe besimin në rolin dhe kontributin e çmuar që këto dy vende do të japin në forcimin e sigurisë në rajon e më gjerë. Në bisedat me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Evropian, Basha trajtoi dhe një numër çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimet në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon. Në lidhje me angazhimin e NATO-s në Kosovë, ministri Basha vlerësoi vazhdimin e mëtejshëm të misionit të KFOR-it në konfigurimin aktual si parësor. Basha mbështeti të gjitha konstatimet e bëra në këshill, si nga Sekretari i Përgjithshëm, ashtu edhe nga ministrat pjesëmarrës, se situata në Kosovë është përmirësuar rrënjësisht gjatë vitit të fundit që nga pavarësia.