Lushnjë, arrestohet tutori i katër vajzave minorene
• ELBASAN- Arrestohet lushnjari shfrytëzues i të miturave për prostitucion në Tiranë Durrës dhe Elbasan.Dashamir BiçakuZyra e Antitrafikut në policinë e Elbasanit ka arrestuar dje pasdite Elvis Canin, me akuzën e shfrytëzimit të katër të miturave për më tepër se tre vite me radhë. Burime nga policia e këtij qarku bënë të ditur mbrëmë për gazetën “Panorama”, se i arrestuari Cani, 23 vjeç, për tre vit me radhë ka shfrytëzuar katër të miturat që të prostituonin kundrejt një pagese, e cila varionte nga 3–4 mijë lekë të reja për çdo klient. Sipas burimeve të policisë, vajzat e shfrytëzuara janë të moshës nga 13-16 vjeçe. Sipas zyrtarëve të policisë, nga deklarimet e para hetuesit kanë mësuar se vajzat e shfrytëzuara prej Canit kanë qenë të detyruara të kryenin marrëdhënie seksuale me 5 klientë në ditë. Por nuk ishin të pakta rastet kur ato duhej të kryenin marrëdhënie me së paku 6 apo më tepër klientë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit pohuan dje në mbrëmje vonë se si në deklarimet veç e veç, ashtu edhe kur janë pyetur së bashku, përpara një psikologu, vajzat kanë pasur të njëjtin qëndrim. Ato kanë pohuar se për tre vite radhazi janë kërcënuar prej Canit, që të mos e denonconin në polici. Vajzat kanë deklaruar gjithashtu para uniformave blu se gjatë këtyre tre viteve kanë qenë nën një dhunë psikologjike të vazhdueshme nga ana e tutorit të tyre dhe kjo duket se ka ndikuar në faktin se veprimtaria është mbajtur pa u zbuluar për një kohë kaq të gjatë. Emrat e të miturave të dëmtuara nuk janë bërë të ditura nga policia, por mësohet se ato janë nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi. Sipas hetuesve, Elvis Cani, 23 vjeç, njihej kumarxhi dhe përdorues i zakonshëm i lëndëve narkotike. Nga hetimet e kryera është mësuar se viktimat iu jepeshin klientëve me vete dhe ata shkonin në motele, apo në ambiente të siguruara prej tyre, ndërsa në jo pak raste vetë Cani siguronte vetë ambientin. Klientë të ndryshëm telefonin tutorin e të miturave, të cilët pas një bisede të shkurtër zgjidhnin vetë se cilën do të merrnin. Kjo kushtonte 4 mijë lekë të reja mesatarisht për çdo klient, ndërsa ato kishin të siguruar ushqimin dhe fjetjen. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se aksioni i përfunduar dje nga Zyra e Antitrafikut në policinë e Elbasanit i ka fillesat e hetimit që para një muaji, kur policia ka marrë edhe sinjalet e para lidhur me Elvis Canin. I arrestuari gjatë shoqërimit në polici, nuk ka pranuar të ketë pasur lidhje me të miturat, por burimet pohuan se ata kanë mundur të siguronin prova nga një hetim disa mujor i kryer në bashkëpunim me Prokurorinë. Të miturat dje janë mbajtur në policinë e Elbasanit, ku Zyra e Antitrafikut iu ka siguruar ushqim dhe trajtim psikologjik. Sipas policisë, ata kanë kërkuar prej shoqatave dhe institucioneve të ndryshme të specializuara, trajtim për të dëmtuarat në të ardhmen.