E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari për vrasje i vendos flakën qelisë

• PEQIN – I dënuari për vrasje vë flakën në shenjë proteste qelisë në Burgun e Peqinit. Bledar Tuma, i ekstraduar nga jashtë vendit për të vuajturdënimin e dhënë me 20 vjet burg ndaj tij për akuzën e vrasjes së një të afërmi ka tentuar të djegë qelinë në Burgun e Peqinit. Burime zyrtare nga ky institucion pohuan dje se, ngjarja ka ndodhur gjashtë ditë më parë dhe bëhet fjalë për një të sëmurë mendor, i cili ka tentuar të djegë qelinë për shkak se të dënuarit e tjerë nuk pranonin të qëndronin në një ambient me të. Burime të tjera nga burgjet, flasin për një variant ndryshe të ngjarjes duke pohuar se pak kohë më parë, Bledar Tuma nga Tirana ishte transferuar nga Burgu i Burrelit për në Burgun e Peqinit. Duket se ndryshimi i institucionit të vuajtjes së dënimit nuk ka qenë një veprim i pranuar nga i dënuari, i cili në shenjë proteste ka tentuar të djegë qelinë e re në të cilën është vendosur në burgun e Peqinit. Sipas burimeve zyrtare pavarësisht tentativës së personit të dënuar, i cili në kushte rrethanore kishte bërë përpjekje për t’i vënë flakën qelisë, ndërhyrja e punonjësve të sigurisë ka qenë në kohë, duke arritur të shmangin pasojat për shëndetin e Bledar Tumës apo dëmtime të tjera në infrastrukturën e institucionit. Pas ngjarjes së ndodhur në qelinë ku mbahej i dënuari, Bledar Tuma është mbyllur në ambientet e izolimit në shenjë ndëshkimi për veprimin që ka kryer. Sipas të dhënave zyrtare nga burgjet, edhe më parë është kërkuar që ky person të vendoset në Spitalin e Burgut për trajtim mjekësor mirëpo për shkak të mungesës së vendeve në këtë institucion, i dënuari i sëmurë ka mbetur në burgjet e zakonshme. Spitali i burgut në Tiranë po përballet vitet e fundit me një mbingarkesë të dukshme në numrin e personave të dënuar që trajtohen aty për probleme të ndryshme shëndetësore.               t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›