Vret nënën, fsheh krimin
Nënëvrasja/ Ylber Tahiri është ndaluar nga policia pas informacionit se kishte vrarë me armë të ëmën 37-vjeçare
Ekzekutimi me kallashnikov i gruas, sipas të birit, kishte ndodhur aksidentalisht teksa po fshihte armën në shtëpi
SHKODËR - Ka qëlluar mbi nënën e tij duke i marrë jetën dhe më pas gjithçka është mbajtur e fshehtë nga ai vetë dhe nga të tjerët. Vdekja është deklaruar si natyrale dhe 37-vjeçares Lumnije Tahiri i janë bërë të gjitha adetet, duke u varrosur pa iu nënshtruar autopsisë dhe pa dhënë një arsye të qartë mbi faktin se si vdiq. Pas tri javësh policia ka ndaluar djalin e saj 19-vjeçar Ylberin, i cili si fillim e ka mohuar ngjarjen e më tej është shprehur se gjithçka ka qenë aksidentale.
Në policinë e Shkodrës kanë mbërritur informacione lidhur me vdekjen e 37-vjeçares Lumije Tahiri, me banim në fshatin Vallas të komunës Ana e Malit në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur më 23 mars të këtij viti, brenda në banesën e Xhevahir Tahirit. Nga hetimet e kryera nga policia ka rezultuar se Lumnije Tahiri është vrarë me armë zjarri, por familjarët nuk e kanë treguar shkakun e vdekjes së saj.
Ata kanë pohuar se 37-vjeçarja vdiq papritur dhe viktima është varrosur pa kryer asnjë veprim tjetër. Kanë qenë vetë familjarët që kanë njoftuar sipas zakonit të afërmit, miq e të njohur për vdekjen e gruas duke e paraqitur atë si vdekje të papritur për shkaqe që nuk diheshin dhe duke bërë ceremoninë e varimit.
Por të afërmit e viktimës, si dhe fqinjë kanë dyshuar për këtë vdekje të papritur edhe për faktin që gruaja nuk kishte pasur probleme shëndetësore. Dyshimet kanë mbërritur dhe tek policia e cila ka filluar hetimet dhe ka grumbulluar të dhëna për të shtëna arme brenda shtëpisë ku kishte ndodhur fatkeqësia.
Në momentin e vdekjes, 37-vjeçarja Lumnije ka qenë në banesë me djalin e saj, Ylber Tahiri, 19 vjeç, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë qenë aty. Mbi 19-vjeçarin kanë rënë dhe dyshimet dhe pas veprimeve të kryera nga policia e prokuroria.
Për të arritur në zbardhjen e ngjarjes përveç grumbullimit të të dhënave, dëshmive të të afërmve, janë përdorur edhe përgjimet, çka ka çuar në ndalimin e të riut. Mësohet se fillimisht djaloshi nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij për vrasjen e së ëmës. Por më pas ka pohuar se ka e qëlluar nënën e tij, por pa dashje.
Siç ka rrëfyer 19-vjeçari, ai ka qenë duke pastruar armën, tip automatik model 56 dhe kishte vendosur që t'i ndryshonte vendin ku e fshihte. Në këtë kohë, nga pakujdesia, e ka shkrepur armën duke qëlluar mbi nënën e tij. Kjo ka bërë edhe që familjarët e tjerë të mos tregojnë për ngjarjen e ndodhur duke e fshehur atë nën petkun e "natyrores".
Ndërkohë, pas marrjes në pyetje të djaloshit, është bërë e mundur edhe gjetja e armës me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi. Policia ka ndaluar 19-vjeçarin, ndërsa pritet që hetimet të vijojnë për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Do të merret vendimi për zhvarrimin e 37-vjeçares, ndërsa Ylber Tahiri është nën akuzë për vrasjen e nënës së tij, por edhe për armëmbajtje pa leje.
Nga ana tjetër, akuzë është ngritur edhe për personat e tjerë të familjes të cilët do të përgjigjen për vepren penale të "moskallëzimit të krimit" dhe "fshehjes së provave". Pas hetimit do të mund të zbardhet edhe nëse pretendimi i djalit për vrasje aksidentale është apo jo i vërtetë.