E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën dy kosovarë me armë, arrestohet i pari

Një funksionar i Mitrovicës u grabit teksa udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të Tiranës në prill të 2008-s


SHKODËR - Prangoset një prej të dyshuarve si autorë të vjedhjes me armë të dy shtetasve kosovarë, ngjarje kjo e ndodhur një vit më parë në fshatin Suka - Mjedë të rrethit të Shkodrës. Ngjarja pati si protagonistë Kamber Kurtin, 51 vjeç, dhe Adem Zhitopotokun, 42 vjeç, që të dy nga Mitrovica, ndërsa në pranga është vënë 26-vjeçari Robert Ndoci nga Mjeda.

Policia mësohet të ketë identifikuar edhe autorin e dytë të grabitjes që dyshohet të jetë i afërm i të arrestuarit. 26-vjeçari akuzohet për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim, ndërsa në kërkim është bashkëpunëtori i tij. Çështja ishte mbyllur disa kohë më parë, por u rihap pas daljes në dritë të disa të dhënave të reja. Ngjarja për të cilën akuzohet Ndoci ka ndodhur më 8 prill të vitit të kaluar.

Dy kosovarët kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre me targë 530 KS 991 në drejtim të Tiranës. Në afërsi të shinave të trenit në Mjedë, sapo kanë ulur shpejtësinë, në mjetin e tyre ka hipur një shtetas që u ka drejtuar pistoletën.

Vetëm 5 minuta më vonë, ndërsa mjeti vazhdonte të lëvizte në aksin Stajkë-Bushat, nën presionin e armës ata janë detyruar të futen tek një pyll në të majtë të rrugës, ku ndahen rrugët për në Stajkë, Shelqet e Pistull.

Mjeti tjetër që i ka ndjekur nga pas, në përpjekje për kapërcimin e një kanali, ka ngecur dhe më pas është rimorkiuar nga një kamion i thirrur nga grabitësit. Sipas deklarimeve të dy kosovarëve, ku 42 vjeçari Adem Zhitopotoku ishte funksionar në komunën e Mitrovicës, atyre u kanë marrë fillimisht 140 euro dhe dy celularë.

Por teksa njëri prej kosovarëve u ka thënë grabitësve se shkonin në Tiranë se kishte dajën e sëmurë, ata iu kanë kthyer njërin prej celularëve dhe 20 euro duke u kërkuar të betohen se nuk do të denonconin në polici. Pas kësaj i kanë lënë të lirë.

Në kallëzimin e bërë 24 orë më pas, dy kosovarët kanë treguar shenjat e grabitësve dhe të mjetit që ka rimorkiuar mjetin e autorëve të ngjarjes të ngecur në kanal, ndërsa kanë pohuar se dy grabitësit duhej të ishin të pirë, pasi era e alkoolit ndihej shume.

Robert Pashuk Ndoci, 26 vjeç, nga Mjeda është identifikuar si autor i grabitjes, vepër kjo që dyshohet se e ka kryer në bashkëpunim me një kushëririn e tij, person me precedentë penalë. Hetimet për këtë ngjarje kanë qenë të pezulluara, por pas rihapjes së tyre nga policia është bërë i mundur dokumentimi i ngjarjes dhe pas një operacioni të zhvilluar ditën e diel, është prangosur Robert Ndoci.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›