E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet nga burgu ekzekuton të riun

Ardian Tahiri, 26 vjeç, nga Fieri, u qëllua dy herë me pistoletë në kokë, nga një person që sipas policisë dyshohet të jetë Fatmir Avdillari


Tre muaj më parë Avdillari ka përfunduar dënimin prej 12 vjetësh. Dyshimet e policisë, larje hesapesh.


TIRANE- Pak muaj pas lirimit nga burgu kishte vuajtur një dënim për vrasje, Fatmir Avdillari, 35-vjeçar dyshohet se ka kryer një tjetër vrasje në Tiranë, duke qëlluar dy herë me pistoletë një person në rrugën "Irfan Tomini".

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 të mbrëmjes së të shtunës në rrugën "Irfani Tomini" në kryeqytet kur Fatmir Avdillari, 36-vjeç, dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në kokë 28-vjeçarin Ardian Tahirin duke i shkaktuar vdekjen.

Oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në policinë e Tiranës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbuluar rrethanat dhe autorin e krimit.

Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se autori i vrasjes dyshohet të jetë Fatmir Avdillari i sapo liruar nga burgu, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Ndërsa janë ngritur disa pista hetimi për të zbardhur motivin e krimit ku kryesorja dyshohet se vrasja ka ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.


Vrasja

Rreth orës 22:20 të mbrëmjes të së shtunës 26-vjeçari Ardian Tahiri ndodhej pranë pallatit nr.5, në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë ku dhe banonte. Ai kishte vetëm pak muaj që jetonte në Tiranë ndërsa ishte nga Fieri.

Ndërkohë mësohet se teksa qëndronte në lagjen e tij, është qëlluar me disa plumba pistolete dy prej të cilave i kanë depërtuar në kokë. Dëshmitarët e ngjarjes lajmëruan se Tahiri ishte ende gjallë, ndaj dhe e kanë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në duart e mjekëve.

Forca të shumta policie rrethuan vendin e ngjarjes për të mbledhur provat, ndërsa morën në pyetje dëshmitarët. "Nga hetimet e para u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar kryesor i cili është Fatmir Avdillari, i njohur për policinë pasi ka qenë i dënuar edhe më parë.

Ai dyshohet se pas krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke i shpëtuar policisë ndërsa po punohet për kapjen e tij" thanë për "Shekullin" burimet policore.


Hetimi


Fill pas ngjarjes, polici nisi hetimet për të identifikuar autorin gjë e cila u realizua vetëm pak orë më pas ndërsa po vazhdon hetimet për të zbardhur motivin e vrasjes.

Oficerët e policisë kriminale, kanë ngritur disa pista hetimi për të motivuar plumbat që u zbrazën mbi 28-vjeçarin Ardian Tahiri.

Dyshohet se ky i fundit dhe autori Fatmir Avdillari njiheshin më parë me njëri-tjetrin, çka ka hedhur dyshime te policia se ata mund të trafikonin lëndë narkotike pazaret e së cilës janë prishur.

Por një gjë e tillë ende nuk është verifikuar nga policia e cila paralelisht po heton edhe ndonjë konflikt të mundshëm mes dy personave për motive të dobëta. "Sipas të dhënave qe ka mbledhur policia, dyshohet se tre ditë para se të kryhej krimi, Tahiri dhe Avdillari kanë debatuar me njëri-tjetrin madje dhe janë qëlluar me grushte për një sherr mes tyre motivi i së cilës ende nuk është zbardhur.

Kështu dyshohet se ky sherr nuk ka përfunduar për autorin e dyshuar Fatmir Avdillari i cili është hakmarrë me pistoletë" thanë për "Shekullin" burimet policore. të njëjtat burime shtuan se deri më tani ende nuk ka një motiv të saktë dhe se ngjarja është në proces hetimi, ndërsa po punohet për kapjen e autorit të dyshuar, i cili kishte vetëm dy muaj që jetonte në liri pasi vuajti dënimin prej 10 vitesh në burg për vrasje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›