E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e bllokuar ndal turistët drejt Thethit

Dëbora dhe shembja e një masivi dheu kanë bllokuar mbërritjen e vizitorëve në zonën turistike

SHKODËR - Turistët e huaj që nisen për të vizituar zonën turistike të Thethit e kanë të pamundur, pasi rruga në Qafë-Thore është e bllokuar nga dëbora dhe ata detyrohen të kthehen pas.

Të dy akset rrugore që të çojnë drejt parkut kombëtar të Thethit, i cili fillon të frekuentohet nga të apasionuarit e udhëtimeve me biçikletë apo dhe mjete të tjera që në fillim të pranverës, janë të pamundura për t'u kaluar.

Këtë e pohon nënkryetari i komunës Shalë ku përfshihet dhe fshati Theth, Gjergj Harusha. Sipas tij, rruga e cila përshkohet më së shumti nga turistët e vizitorët e huaj është ajo Bogë-Theth, e cila në Qafë-Thore është e bllokuar nga dëbora.

Po kështu, aksi tjetër, nga Kiri e Pulti është problematik në segmentin Lotaj afër malit të Shoshit ku ka shkarje të dheut dhe rruga është pothuajse e pakalueshme.

Sipas nënkryetarit të komunës Shalë, shqetësimin e kanë bërë prezent në prefekturë e këshill të qarkut, por përveç shpresës se do të ndërhyhet, asgjë nuk është bërë.

Gjergj Harusha shprehet se me rritjen e temperaturave dëbora do të shkrihet e rruga do të hapet, por kjo do dhe disa muaj të ndodhë, ndërsa ata janë të interesuar që rruga të jetë e hapur sepse që në mars ka turistë që vijnë në Theth dhe për këtë zonë natyrore të mrekullueshme, turizmi është e vetmja mundësi jetese.

Edhe vitin e kaluar ka qenë një situatë e ngjashme dhe u desh ndërhyrja e vetë kryeministrit Berisha që rruga të hapej, ndërsa sivjet situata është më e rëndë, pasi ka rënë dëborë deri vonë dhe rruga vazhdon të jetë e bllokuar.

Asnjë mjet apo punëtor i ndërmarrjes përkatëse nuk shihet të punojë për hapjen e rrugës në Qafë-Thore dhe, sipas Harushës, "kjo është e qëllimshme dhe dikujt i intereson që kjo rrugë që çon turistët në Theth, të qëndrojë e bllokuar sa më gjatë".

Ndërmarrja e rrugëve rurale që e ka për detyrë mirëmbajtjen e këtyre akseve nuk ka fonde e mjete të mjaftueshme dhe gjatë këtij viti, kur mjaft segmente rurale janë bllokuar nga dëbora, ka qenë këshilli i qarkut që me fonde emergence ka bërë të mundur nënkontraktimin e të tretëve për hapjen e këtyre segmenteve.

Por me Qafë-Thoren kjo ende nuk ka ndodhur dhe apeli i nënkryetarit të komunës Shalë, por dhe banorëve të kësaj zone është që rruga të zhbllokohet sa më parë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›