Tirana, kodi i trafikantëve për Greqinë
TRAFIKU
Kapaj siguronte drogën nga lidhjet e tij dhe me Llanajn, drogën ia dorëzonin Grembit që e transporte në Greqi për 5 mijë euro
Prokuroria mbylli hetimin për një grup të trafikut të kokainës e heroinës nga Fieri, të arrestuar 6 muaj më parë. "Tirana", një nga kodet tyre
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përmbyllur fazën e saj hetimore ndaj 3 personave nga Fieri të arrestuar me drogë, 6 muaj më parë, ndërsa tentonin ta trafikonin drejt Greqisë.
Pas përmbylljes së hetimit nga organi i akuzës, ka përpiluar Kërkesën për Gjykim në ngarkim të Blendard Grembit, Përparim Llanajt dhe Aleksandër Kapajt, të cilët sipas organit qëndror të akuzës kanë tentuar të kalojnë më tepër se 6 muaj më parë në drejtim të Greqisë një sasi prej 4 kg drogë nga të cilat 2.5 kg ishin heroinë dhe 1.5 të tjera kokainë.
Sipas kërkesës për gjykim që "Shekulli" ka siguruar një kopje të përpiluar nga prokurori Edvin Kondili, tre të pandehurit fierakë: Aleksandër Kapaj, Përparim Llanaj dhe Blenard Grembi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe role të ndryshme, kanë tentuar të kalojnë në Greqi 4 kg drogë.
Sasia e lëndës narkotike iu sekuestruar të pandehurit Blenard Grembi i cili po transportonte kundrejt 5 mijë eurove 2.500 gram heroinë dhe 1.500 gram kokainë nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës më 29 tetor 2008 me makinën e tij tip "Mercedes Benz", me targe FR 6541 C.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Grembi kryente vetëm rolin e transportuesit (korrierit) kundrejt pagesave të ndryshme në këtë trafik droge, ndërsa, të pandehurit Llanaj e Kapaj luanin rolin e ndërmjetësuesve mes pronarëve të drogës që po punohet për zbulimin e tyre dhe transportuesit.
"Nga hetimet 6 -mujore ka rezultuar se të pandehurit Aleksandër Kapaj e Përparim Llanaj kishin lidhje me disa persona ende të paidentifikuar nga Tirana të cilët i furnizonin me drogë, që më pas këta dy të pandehur gjenin korrierë të besuar kundrejt pagesave që bëheshin në varësi të sasisë së lëndës që transportonin nga Shqipëria në Greqi",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Sipas saj, i gjithë rrjeti është zbuluar me ndihmën e përgjimeve telefonike e ambientale dhe vëzhgimeve në terren nga agjentet e Antidrogës pranë Policisë së Shtetit.
Sipas kërkesës për gjykim, ka qenë data 23 tetor 2008, kur Prokuroria e Fierit pas verifikimeve të para ka konkluduar se një grup personash trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në Greqi, dhe mbi bazën e këtyre të dhënave ia kanë dorëzuar dosjen penale Prokurorisë së Krimeve të Rënda për hetime të mëtejshme për shkak të kompetencës lëndore të veprës së trafikut.
"Pas regjistrimit të procedimit penal, janë vendosur në përgjim numrat e telefonit të shtetasve Aleksandër Kapaj e Përparim Llanaj të cilët në bashkëpunim me disa persona ende të paidentifikuar po përgatiteshin të transportonin një sasi lënde narkotike në drejtim të Greqisë.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Kapaj siguronte lëndën narkotike tek shtetasit e tjerë për të cilët vazhdon hetimi dhe nëpërmjet të pandehurit Llanaj drogën ia dorëzonin të pandehurit Grembi për transport.
Ka qenë data 24 tetor 2008, kur i pandehuri Llanaj i kërkonte me anë të bisedës telefonike të pandehurit Grembi të nisej për në Tiranë, (termi Tiranë, ata i referoheshin Greqisë).
Por, korrieri Grembi kishte makinën e prishur dhe i kërkonte të pandehurit Llanaj pak ditë kohë deri sa makinën e tipit "Mercedes Benz", ta rregullonte dhe do nisej për të dërguar mallin prej 4 kg lëndë narkotike kundrejt 5 mijë eurove",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Pas këmbënguljes së furnizuesit Kapaj, ndërmjetësuesi Llanaj i kërkon "korrierit" Grembi të niset për në Greqi, për shkak se malli ishte marrë në dorëzim dhe duhej të dërgohet patjetër më 29 tetor.
"Mëngjesin e datës 29 tetor 2009, i pandehuri Grembi merr sasinë e drogës dhe niset për në pikën e kalimit kufitar të Kakavijë së Gjirokastrës.
Gjatë kontrollit të policisë, këta të fundit në automjetin e tij tip "Mercedes Benz", me targe FR 6541 C në pjesën midis sediljes së pasme dhe bagazhit u gjetën dhe sekuestruan 8 pako që peshonin 4 kg e 145 gramë.
Ku pas kryerjes së ekspertimit kimik të lëndës së sekuestruar në këto pako ka rezultuar se 3 prej tyre ishin kokainë me peshë 1.500 gramë dhe 5 pakot e tjera heroinë me peshë 2.645 gram heroinë",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Korrieri u arrestua në Kakavijë
Grupi i mësipërm i trafikut të heroinës u godit fundin e muajit tetor të vitit të kaluar, gjatë një operacioni të kryer nga seksioni i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, në koordinim me Prokuorirnë e Krimeve të Rënda.
Mesditën e datës 29 tetor, Grembi pritej të kalonte nga në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në Gjirokastër, me mjetin e tij të marks "Mercedez- Benz", për në drejtim të kufirit grek.
Mjeti i tij, që vëzhgohej nga agjentët e antidrogës, është ndaluar ndërsa oficerët i kanë kërkuar atij të bënin një verifikim dhe kontroll të mjetit të tij.
Pas kontrollit të kryer, policia ka zbuluar sasinë e heroinës dhe të kokainës, të fshehur në pjesën e sediljes së pasme të pasagjerit.
Policia ka arrestuar në flagrancë, Grembin me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndë narkotike në bashkëpunim.
Hetimi i kryer nga organi i akuzës dhe policia ka zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë trafik.
Aleksandër Kapaj, i dtl. 1967, lindur dhe banues në Fier, hetuar me masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale të "trafikimit të narkotikëve", në bashkëpunim.
Përparim Llanaj, i dtl. 1971, lindur dhe banues në Fier, hetuar me masën sigurisë "Arrest ne burg", për veprën penale të "trafikimit të narkotikeve", në bashkëpunim.
Blenard Grembi, i dtl. 1980, lindur dhe banues në fshatin Zharrës, të Fierit, hetuar me masën e sigurisë "Arrest ne burg", për veprën penale të "trafikimit të narkotikeve", në bashkëpunim.