Topalli: Pashka, simbol i shpresës
PASHKËT
SHKODËR - "Jemi një komb homogjen që shquhemi për respektin e harmoninë ndërfetare dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë themelore, e cila është vënë në dukje nga të gjitha institucionet ndërkombëtare".
Kështu është shprehur kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli gjatë bashkëbisedimit me arqipeshkvin e Shkodrës Angjelo Masafra, në vizitën që ajo ka bërë dje me rastin e festës së Pashkëve.
E shoqëruar dhe nga deputetë e drejtues vendorë në Shkodër, Topalli ka uruar jo vetëm besimtarët katolikë, por të gjithë shqiptarët për këtë festë që, siç u shpreh ajo, ka brenda simbolikën e ngadhnjimit dhe të shpresës.
Në komunikim me drejtuesit e kishës katolike në Shkodër, Topalli duke folur për vlerat e shqiptarëve si komb, ka përmendur dhe mbrojtjen që ky popull iu bëri hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore ku ka theksuar se përveç këtij fakti që tregon se shqiptarët janë të veçantë përsa i përket humanizmit dhe respektimit të besimeve të ndryshme, në atë kohë edhe pse luftës, ka qenë politika shtetërore që i mbronte hebrenjtë.
Arqipeshkvi Angjelo Masafra ka theksuar se harmonia mes besimeve fetare është një vlerë themelore dhe se kisha katolike së bashku me të gjithë komunitetet e tjera fetare punojnë bashkarisht për forcimin e kësaj harmonie.
Lidhur me këtë ai ka përmendur dhe rastin e pajtimit të dy familjeve në hasmëri, të ndodhur një javë më parë në Mal të Jushit, ku ndërmjetës kanë qenë përfaqësues të kishës katolike.
Duke folur për çështje të formimit të brezit të ri, Topalli ka theksuar se investimi më i madh është ai që bëhet në arsimimin e brezave, për shkollimin e tyre. Arqipeshkvi Masafra ka shtruar problemin e taksave të larta që iu vë shteti shkollave private, dhe në ato raste kur ato janë të hapura për qëllime humanitare dhe jo për biznes.
"Ne kemi shkolla që i mbajmë në sajë të donatorëve të huaj që japin aq sa kanë mundësi apo duan dhe këto shkolla dalin me humbje nga ana financiare. Ndërsa shteti i taton ato njëlloj si të ishin biznese", ka thënë Masafra.
Topalli ka pranuar se është e njohur me këtë problem pasi ka pasur sinjalizime dhe nga të tjerë dhe ka premtuar se do të gjendet në zgjidhje, pasi duhen ndarë ato institucione arsimore private që bëjnë biznes dhe ato që u shërbejnë komuniteteve në arsimimin e formimin e brezave të rij, përfshirë dhe në fusha të veçanta të formimit profesional.