E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret shokun në pritë, pas sherrit për rrugën

Kur e ka parë që kaloi sërish tek "rruga e ndaluar" e ka qëlluar me thikë. 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

 Nard Lisi, 22 vjeç, banues në fshatin Bardhaj të Shkodrës ka rënë në pritën e shokut dhe fqinjit, Pëllumb Gurit, teksa po kthehej në shtëpinë e tij, pasi kishte ndjekur pjesën e parë të ndeshjes Greqi-Suedi në një prej lokaleve të fshatit. Mësohet se Guri e ka qëlluar atë disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë që i kanë kushtuar jetën. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ku humbi jetën Lisi ka ndodhur rreth orës 21:30 të së martës në fshatit Bardhaj të rrethit të Shkodrës. Banorë të fshatit thonë se midis dy të rinjve prej pak ditësh kishte lindur një konflikt për një rrugë këmbësorësh. Për të kaluar nga qendra e fshatit në shtëpinë e tij Lisi përdorte një rrugë që kalonte pranë shtëpisë së Gurit, i cili nuk ishte dakord me këtë fakt. Mbrëmjen e së martës, Guri ka vendosur të verifikojë bindjen e shokut të tij. Banorët pohojnë se në kohën që 22-vjeçari Lisi ka qenë duke kaluar aty pranë, Guri i ka dalë atij përpara dhe e ka qëlluar disa herë me thikë në pjesën e barkut, duke e plagosur rëndë. Edhe pse i plagosuri është dërguar menjëherë në gjendje të rëndë në spitalin rajonal Shkodër, pak orë me vonë ai ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra. Gjithashtu bëhet e ditur se, policia ka arrestuar si autor të plagosjes me pasojë vdekjen, Pëllumb Gurin. Në deklaratën zyrtare të policisë pohohet se, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe se dy të rinjtë kanë pasur një grindje midis tyre, por pa përcaktuar se cilat kanë qenë shkaqet që i ka çuar ata të grinden deri në një sulm me armë të ftohta. Policia bëri të ditur se, hetimet e mëtejshme si dhe marrja në pyetje e të dyshuarit kryesor si autor të ngjarjes, do të zbardhin motivin e saj. Ndërkohë familjarët e viktimës janë tronditur për atë që u ka ndodhur, pasi të dy familjet, banesat e të cilave janë 200 metra larg njëra-tjetrës, asnjëherë nuk kanë pasur mosmarrëveshje si në Dukagjin, ashtu edhe në Bardhaj ku jetojnë aktualisht të dy palët. Po kështu edhe viktima Lisi dhe autori i vrasjes, Guri sipas banorëve të zonës nuk kanë pasur asnjëherë konflikte mes tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›