Vriten shtatë futbollistë në Meksikë

Sulmues të panjohur kanë shtënë drejt shtatë futbollistëve amatorë të dielën në qytetin Ciudad Juarez të Meksikës.
Vrasësit kanë arritur papritmas në qendrën sportive Francisco I. Madero, duke shtënë ndaj futbollistëve të rinj të pafajshëm, tregon zëdhënësi i prokurorisë lokale në shtetin Chihuahua, pjesë e të cilit është Ciudad Juarez.
Prokuroria lokale informon se vrasësit kanë shtënë me rreth 180 plumba në drejtim të futbollistëve të pafajshëm, të cilët po zhvillonin një ndeshje kontrolluese në kuadër të fushatës kundër dhunës dhe vetëdijesimit për jetën në Ciudad Juarez.
Parulla kryesore në hyrje të fushës, ku u vranë djelmoshat e rinj, shkruante ‘Vivir Mejor’ (Të jetojmë më mirë). Ende nuk dihen shkaqet e kësaj vrasjeje, por në 24 orët e fundit në shtetin Chihuahua janë vrarë 30 persona.
Ciudad Juarez është qytet me 1.3 milionë banorë, ndërsa vetëm vitin e kaluar, në dhunën e lidhur me drogën, humbën jenë më shumë se tre mijë njerëz.