E Shtunë, 31 Tetor 2026

In Memoriam: Bekim Fehmiu

Aktori shqiptar është vetëvrarë në shtëpinë e tij në Beograd. Legjenda e yllit të kinemasë dhe teatrit në ish Jugosllavi që nisi me Borën dhe kapërceu kufijtë me Odisenë


Lajmi i vdekjes së Bekim Fehmiut është dhënë dje pasdite nga mediat serbe on line. Aktori me origjinë shqiptare jetonte në Beograd dhe ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tij dje pasdite, në zonën e quajtur Zvezdara në periferi të kryeqytetit serb.


Mediat citojnë ministrin e brendshëm Ivica Daçiç, sipas të cilit, Fehmiu 74-vjeçar, aktor shumë popullor në epokën e republikave të bashkuara jugosllave, të ketë kryer vetëvrasje me armën e regjistruar në emrin e tij. Deri dje në mbrëmje nuk është dhënë ndonjë motiv për vdekjen tragjike të këtij portreti të dashur për krenarinë shqiptare sidomos në rolin e Odiseut në vitin 1970.


Thuhet vetëm se kohët e fundit ai ka qenë i sëmurë. Që kur hoqi dorë nga aktrimi gjendja e tij është komentuar depresive. Në intervistën e vitit 2001, që ndoshta duhet të jetë intervista e tij e fundit, dhënë të përditshmes serbe "Danas" ai pyetet: "Keni lindur në Sarajevë më 1936.


Keni pasur fat në jetë? Do provoni të luani përsëri, së shpejti?" Dhe Fehmiu përgjigjet "Një proverb shqiptar thotë: "Puno pak se Zoti të ndihmon shumë". Duket se, përveç sakrificave dhe punës së palodhur, kam pasur dhe fat në jetë, për vete dhe për familjen.


Megjithëse jeta e njerëzve që jetojnë në këtë rajon, dhe në Kosovë sidomos, vetëm e lehtë që s'është. U bënë vite që refuzoj të luaj dhe mendoj se do të vazhdoj të refuzoj. Për shkak të gjithë këtij ferri kam humbur kuptimin e profesionit, dhe përderisa aktrimi për mua nuk ka kuptim, nuk kam dëshirë të luaj kurrë më."


Bekim Fehmiu, u lind më 1 qershor 1936 në Sarajevë. Fakultetin e Artit Dramatik e kreu në Beograd nga vitit 1956 deri në vitin 1960, në klasën e profesorit Mate Milosheviç.
Ka interpretuar në filma dhe gjuhë të ndryshme me aktorë dhe regjisorë të rëndësishëm të ish-Jugosllavisë, evropianë dhe amerikanë.


Nisi të bëhej i njohur në vitet gjashtëdhjetë falë interpretimit të Halil Beut në filmin "Tufa" (1966), për të cilin vlerësohet në Festivalin Jugosllav "Igranog Filma".


Një vit më pas ai shfaqet në një film të shkëlqyer për romët, "Mbledhësi i puplave", i Aleksandar Petrovic-it me një interpretim po aq të shkëlqyer në rolin e ciganit Bora. Ky ishte roli që e bëri popullor Bekim Fehmiun 31-vjeçar. Ndërsa filmi fitoi atë vit "Palmën e Artë" në Kanë dhe u emërua për Çmimin "Oscar" më 1968. Këto vitet e fundit m"Mbledhësi i puplave" është shfaqur dy herë në Tiranë.


Fama ndërkombëtare vjen dy vjet më vonë me hedhjen në qarkullim të prodhimit italo-gjermano-jugosllav, telefilmi "Aventurat e Uliksit" të Franco Rossi (1969), ekranizim i "Odisesë". Fehmiu është në rolin e Uliksit. Njërin nga dy djemtë që pati me artisten serbe Branka Petriç e quan Uliks.


Të kësaj kohe janë interpretimet në "Aventurieri", "Rruga" etj., përkrah artistëve Xhon Hjuston, Olivia dë Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Klaudia Kardinale etj.


Ekziston një kujtim i rrallë prej Fehmiut në Shqipëri. Është i vitit 1972 kur aktori vizitoi për herë të parë vendin. Ruhet një dokumentar në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë për këtë vizitë. Është 10 minuta filmim, prodhim i Kinostudios "Shqipëria e Re". Dokumentari nis me fjalët: "Përfytyrimet për të ishin më konkrete te njerëzit e artit dhe kinematografisë.


Ai nuk paraqitet si aktor jugosllav, por si shqiptar i Kosovës".
Aktori u prit me festë në Shqipëri nga artistët dhe njerëzit e kulturës. I organizohet një pritje në Lidhjen e Shkrimtarëve që drejtohej nga Dhimitër Shuteriqi. Pas kësaj vizite pritet në Ministrinë e Kulturës.


Viziton Krujën dhe Durrësin, amfiteatrin dhe muzeun arkeologjik, Gjirokastrën, Sarandën dhe Butrintin dhe në fund Shkodrën ku familja e tij ka jetuar për njëfarë kohe. Në video shfaqet aktori që ndalet një çast para shtëpisë së dikurshme të familjes Fehmiu.


Dokumentari përfundon me fjalët: "Bekim Fehmiu është një aktor realist, i talentuar dhe me kulturë. Duke u larguar nga vendi ynë, kineastët dhe artistët shqiptarë e urojnë atë për një perfeksionizëm të mëtejshëm si aktor i teatrit dhe kinematografisë."
Asnjë intervistë me të.


Vizita e dytë e tij në Shqipëri ishte në vitet 2000 i ftuar nga regjisorja Vera Grabocka në spektaklin "Duam më shumë Shqipërinë".
E kishte mbyllur tashmë karrierën në teatër dhe kinema.


Rolet e fundit janë në "Një fëmijë me emrin Jezus" një tjetër bashkëpunim me Franco Rossin me 1989, ku interpreton një figurë biblike, Jozefin. Shfaqet te "E diela e zezë" e John Frankenheimer përkrah Bruce Dern dhe te "Baladë për një mbret" i Abdelhafidh Bouassida më 1991.


Kishte dhënë një intervistë lamtumire më 14 prill 1987 për gazetën serbe "Politika" ku jepte arsyet e braktisjes së shfaqjes "Madame Colontein" të Agnette Pleyal. Siç tregon vetë Fehmiu, arsyeja e këtij largimi "kishte të bënte vetëm me zgjerimin e propagandës dhe shtrirjen e urrejtjes antishqiptare, kudo në ish-Jugosllavi".


Në vitin 2001 ai botoi autobiografinë "Shkëlqim dhe frikë" ku përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›