Vritet me armë zjarri, pas sherrit në mes të lokalit
SHKODËR – Një tjetër atentat ka ndodhur në Shkodër, duke sjellë vdekjen e një 45-vjeçari. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Arben Bitani, lindur në fshatin Barbullush dhe banues në qytetin verior. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur në një lokal në fshatin Barbullush, ku 45-vjeçari Bitani është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me një person tjetër. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se autori i krimit, dyshohet të jetë shtetasi Afrim Rraboshta, 37 vjeç, banor në fshatin Barbullush. Pas debatit që kanë bërë në lokal, Rraboshta ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj Bitanit, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u shpallur person në kërkim. Ende nuk janë sqaruar rrethanat e ngjarjes, por dyshohet se viktima, që kishte shkuar dje për festë pranë familjes së tij, dhe autori i krimit kanë pasur edhe më parë probleme me njëri-tjetrin. Policia ka shpallur në kërkim autorin e krimit, duke ngritur postblloqe në hyrje-daljet e fshatit Barbullush dhe në qytetin e Shkodrës. Ky atentat vjen pas një sërë krimesh që kanë ndodhur gjatë dy muajve të fundit në qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth.
Denoncohet zhdukja e biznesmenit të konfeksioneve në Elbasan
ELBASAN – Një biznesmen nga qyteti i Elbasanit rezulton i zhdukur prej katër ditësh. Burimet policore bëjnë të ditur se mëngjesin e së hënës ka mbërritur një kallëzim për humbjen e tij. Denoncimi është bërë nga familjarët e tij. Sipas tyre, që prej ditës së premte nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e shtetasit Hekuran Latollari, lindur e banues në këtë qytet. 45-vjeçari Latollari është biznesmen konfeksionesh. Dëshmitarët kanë deklaruar se për herë të fundit 45-vjeçari është parë t’i drejtohet zonës ku ndodhet lumi Shkumbin, në fund të qytetit, por të dhëna të tjera për të ende nuk ka. Familja thotë se ka zhvilluar kërkime të shumta në qytet dhe përreth tij, por deri tani asgjë nuk dihet për fatin e 45-vjeçarit të humbur në rrethana të mistershme. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Aksidenton 60-vjeçaren, largohet autori
ELBASAN - Një person ende i paidentifikuar ka aksidentuar një kalimtare në Elbasan dhe është larguar pa gjurmë nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, e aksidentuara është 60-vjeçarja Sherife Sadiku, që mendohet se banon në Elbasan, por ende nuk ka të dhëna të sakta rreth saj. Gruaja është gjetur e gjakosur në mes të rrugës nga kalimtarë të rastit, të cilët, pasi kanë njoftuar policinë, e kanë transportuar në spitalin e qytetit. Sipas mjekëve, gruaja ndodhet në gjendje shumë kritike për jetën, për shkak të goditjeve të shumta që ka marrë. Ndërkohë, policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, tek ‘rruga e re e trenit’, ka nisur hetimet por deklaron se deri tani nuk ka asnjë të dhënë për drejtuesin e mjetit dhe llojin e makinës.
9 Dhjetor 2008