E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me katër plumba 20-vjeçari Mario Curri

13/08/2010 Ishte kthyer nga Italia për t’u kujdesur për nënën. Më parë i ishte vrarë i ati

Katër plumba, dy prej të cilave në kokë, kanë lënë të vdekur në vend të riun Mario Curri në Durrës. Krimi ka ndodhur në mes të ditës në vendin e quajtur “Pranvera”, aty ku qëndrojnë linjat e urbanit për në Plazh, Shkozet, Porto-Romano, Currila e Tiranë. Viktima nuk ka mundur t’i shpëtojë vrasjes, ndërkohë që ai ishte kthyer nga Italia vetëm disa ditë më parë për t’u kujdesur për nënën. Familja Curri me këtë vrasje të të riut emigrant ka humbur brenda këtij viti 3 anëtarë, por deri tani policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e dy krimeve, që kanë marrë jetën e katër personave në shtatë muaj.

Krimi

Rreth orës 14:20 në afërsi të sheshit “Pranvera” janë dëgjuar krisma arme. Të shtënat kanë vënë në lëvizje policinë, ndërsa qytetarët dhe kalimtarët janë bërë dëshmitarë të një vrasje të rëndë në trotuarin e rrugës, fare pranë stacionit të furgonëve të linjës Durrës–Tiranë. Policia ka bërë të ditur se viktima quhet Mario Curri, i moshës 20 vjeç dhe se ai është emigrant i porsakthyer nga Italia. Viktima ka lindur në qytetin Arianos Irpino në Itali dhe banues në lagjen nr. 9 në qytetin e Durrësit. Mbi të riun është qëlluar pas koke katër herë, por vetëm dy plumba e kanë marrë, duke e lëshuar menjëherë përtokë të vdekur. Autorët e krimit kanë mundur të largohen pa u identifikuar, ndërkohë që mësohet se vrasja është kryer nga persona të pamaskuar dhe se kanë qenë së paku dy veta. Ata janë larguar më këmbë në një rrugicë lagjeje në anën tjetër të trotuaritm duke mundur të humbin gjurmë. E vetmja pistë hetimi lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit mbetet hakmarrja. I riu Mario Curri ka humbur të atin në ngjarjen e ndodhur në janar teksa në një lokal bastesh një person ende i paidentifikuar ka vrarë shtetasin Luan Curri, nipin e tij Ani Curri dhe inxhinierin Edmon Shemsi.

Vrasja dhe pistat

Ka mundësi që vrasja e 20-vjeçarit të pafajshëm të jetë bërë nga ndonjë vrasës me pagesë. Mario Curri është qëlluar me plumb në pjesën e pasme të kokës në një distancë jo më shumë se 1,5 metër. Vrasje ka ndodhur në trotuarin e rrugës më të ngarkuar në qytetin e Durrësit, por nga plumbat nuk ka marrë askush lëndime. Për afro 40 minuta trupi ka qëndruar i palëvizur nga vendi ku është vrarë, dhe kjo ka sjellë jo pak tronditje te qytetarët, një pjesë e të cilëve kanë qenë pushues në bregdetin e Durrësit. Më 27 janar të vitit 2010 janë vrarë me armë zjarri në lagjen nr. 9 shtetasit Luan Curri, Ani Curri, nxënës shkolle, dhe inxhinieri Edmond Shemsi. Policia asokohe ka dyshuar se objekt atentati ka qenë vetëm Luan Curri, ndërsa nipi i tij është ngritur më këmbë për të ndaluar vrasësin të qëllojë. 43-vjeçari Luan Curri ishte dënuar me 10 vjet burg në mungesë më 5 janar 2004. Arrestimi i tij është bërë vetëm më 15 shkurt të vitit të kaluar në banesën e tij në lagjen nr. 9, ndërsa më pas ai është lënë i lirë. Policia në atë kohë ka thënë zyrtarisht se ky shtetas, që tashmë është vrarë së bashku me nipin nga autorë të paidentifikuar, në vitin 1996 ka pasur një përplasje me armë para godinës së drejtorisë së policisë me një tjetër familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›