E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet në buzuk 26-vjeçari nga Plazhi

06/08/2009  Autor pronari i lokalit. Dy shtetasit janë grindur jashtë përreth gjysmë ore

DURRES- Është vrarë me armë zjarri një djalë 26-vjeçar nga Plazhi i Durrësit pas sherrit me pronarin e buzukut “Coco Bongo”. Emiliano Sula, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen numër 13 në Durrës, ka vdekur sapo është dërguar në spital, ndërkohë që policia nuk ka bërë të qartë motivin e krimit. Sipas deklarimit zyrtar të policisë, sherri ka nisur brenda në buzuk rreth orës 3:00, ndërsa 30 minuta më pas pronari i lokalit, Fundim Dedja, dhe viktima Emilian Sula kanë shkrehur armët jashtë lokalit të natës “Coco Bongo”, nga ku ka mbetur i vdekur 26-vjeçari lushnjar. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pasi sherri ishte shuar, ndërkohë që pronari i buzukut, Fundim Dedja, ka qëndruar në lokalin e tij derisa kanë shkuar efektivat e policisë. Edhe pse të rinjtë që argëtoheshin në këtë lokal nate kanë lënë buzukun sapo ka nisur sherri, i shoqëruar me grushte e shqelma mes palëve, jo pak persona që janë argëtuar në buzuk janë detyruar të dëshmojnë në polici për ngjarjen.

Ngjarja

Vetëm 10-15 hapa larg nga godina e prokurorisë dhe gjykatës së Durrësit është vrarë me armë zjarri shtetasi Emiliano Sula. Krimi para së gjithash ka dëshmitarë policin që qëndron në portën hyrëse të dy institucioneve, pasi vrasja, sipas vetë policisë, është bërë jashtë buzukut. Rreth orës 3:30 në lagjen numër 11, rruga “Aleksandër Goga” në qendër të qytetit të Durrësit, janë dëgjuar të shtëna me armë. Salla operative si dhe reparti i pranimit të urgjencave janë vënë në dijeni nga telefonata të qytetarëve të pallateve, të cilët kanë dëgjuar zhurmën, grindjet, sharjet, rrahjet dhe së fundi edhe të shtënat e armëve. Krimi, sipas policisë, ka ardhur si pasojë e një sherri banal të ndodhur brenda në lokalin e mbushur plot me të rinj e të reja dhe protagonistë kanë qenë pronari i lokalit, Fundim Dedja, dhe klienti i tij Emilian Sula. 45-vjeçari Dedja nga Xhafzotaj është rrahur me grushte me klientin, pastaj ata kanë dalë jashtë buzukut për t’u përleshur më tej. Nisur nga hetimet policore të bëra paraditen e ditës së ngjarjes, të dy personat kanë vënë në përdorim armët, çka ka sjellë që të mbetej i vrarë lushnjari Emilian Sula, kurse pronari i lokalit ka shpëtuar pa u plagosur nga arma e kundërshtarit të tij. Viktima ka marrë plagë në pjesën e barkut nga një distancë shumë e afërt, por ende nuk dihet se cila nga armët e gjetura në vendngjarje i ka marrë jetën. I plagosuri është transportuar për në spital pa ardhur policia, por nuk i ka shpëtuar vdekjes. Jashtë buzukut janë gjetur dhe sekuestruar nga policia gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe 9 mm së bashku me dy armë zjarri. Njëra nga armët është pistoletë e tipit “TT”, kurse arma e dytë është një automatik model 56. Pas hetimit dhe marrjes së deklarimeve nga personat e shoqëruar në polici, është deklaruar se automatiku ka qenë i shtetasit Sajmir M., 32 vjeç, nga Shijaku. Sipas policisë, ky shtetas ka qenë në buzuk në kohën e ngjarjes së rëndë, ndërkohë që Mema është edhe nip i pronarit të buzukut. Nga ana tjetër, për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së ngjarjes, shumë autovetura që janë gjetur në vendngjarje të parkuara në anë të rrugës janë bllokuar, pasi do të pyeten të gjithë pronarët e tyre. Lagja ku është lokali i natës ka përjetuar për më shumë se 1 orë gjendjen e tensionit dhe të ankthit, pasi zhurmat e ndodhura në buzuk janë dëgjuar nga familjarët. Ajo që pritet të hetohet për këtë ngjarje të ndodhur në sezon pushimi ka të bëjë pamundësinë e policisë për të parandaluar krimin. Dëshmitarë të parë dhe kyç të ngjarjes janë efektivat e policisë që kryejnë shërbim në prokurori e gjykatë, ndërkohë që nuk është thënë asgjë nëse ata kanë njoftuar sallën operative apo jo.

Precedenti

Policia e Durrësit ka arrestuar më 16 prill dy shtetas të lindur dhe banues në Durrës, pasi dy muaj më parë ishin futur dhunshëm në drejtim të banakut dhe orkestrës së lokalit “Coco Bongo” në Durrës. 37-vjeçarët Skënder Laçi dhe Florian Luca janë arrestuar nën akuzën e tentativës për vrasje, vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Policia e Durrësit ka deklaruar se të dy 37-vjeçarët më datën 15 shkurt 2009, në orët e mesnatës, kanë shkuar te diskoja “Coco Bongo” dhe në gjendje të dehur kanë hyrë brenda. 37-vjeçari Laçi ka nxjerrë një pistoletë dhe pasi ka kërcënuar rojën ka hyrë në disko dhe brenda në lokal ai ka shtënë me pistoletë tip “Zastava” në drejtim të banakut. Nga plumbat nuk ka pasur të plagosur dhe personat janë neutralizuar pas ndërhyrjes së disa punonjësve të diskos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›