E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt nga rrethet

06/08/2009  Specialistët vendosin të djegin në mënyrë të kontrolluar një brez përreth parkut

Antigonea i shpëton zjarrit me zjarr

Frikë nga banorët përreth, çdo vit u vënë flakën kullotave

GJIROKASTËR - Stafi i zyrës së administrimit dhe menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër, një qytet i lashtë themeluar rreth 2300 vjet më parë nga mbreti Pirro i Epirit, ashtu si një vit më parë, edhe sivjet ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për të ruajtur monumentet dhe objektet e këtij parku nga flakët e zjarrit. Qyteti antik, që shtrihet në jug të shpateve të pjerrëta të malit të Lunxhërisë, në mënyrë të përvitshme është i rrezikuar nga flakët e zjarreve që ndizen nga barinjtë, të cilët pretendojnë se me disa metoda primitive “përmirësojnë” cilësinë e kullotave dimërore, duke i djegur ato në mënyrë të pakontrolluar. “Për të shpëtuar nga rreziku permanent i zjarreve, që në mënyrë të përvitshme rrethojnë monumentet dhe objektet e në brendësi të parkut, stafi i menaxhimit të këtij parku vendosi të përdorë metoda të lashta tradicionale të eliminimit të këtij rreziku, duke djegur në mënyrë të kontrolluar disa breza të territorit, gjë që ndikon drejtpërdrejtë në shmangien e dëmeve”, - tha për gazetën “Metropol” Engjëll Seriani, drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Antigonesë. Sipas tij, përdorimi i kësaj metode pagane ka një vlerë dhe kuptim të dyfishtë: së pari, parandalon shtrirjen e zjarreve që shkaktohen nga barinjtë; së dyti, u jepet një gjelbërim kullotave. Një vit më parë rrethinat e parkut u përfshinë nga zjarret, që zgjatën disa ditë dhe stafit të parkut dhe repartit të zjarrfikësve iu desh të ndërhynin për eliminimin e zjarreve që shkaktoheshin nga barinjtë, që prej shumë ditësh digjnin kullotat e tyre në Suhë, Stegopull, Pjesak dhe Ladovishë. Flakët e zjarreve u afruan pranë parkut në një distancë rreth 400-500 metra larg mureve fortikuese që qarkojnë për afro 4 km territorin e parkut. Parku Kombëtar i Arkeologjik i Antigonesë shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektar brendapërbrenda mureve rrethuese fortifikuese 4 kilometra të gjatë dhe një sipërfaqe të përgjithshme që arrin në më shumë se 90 hektarë të mbuluara me rrënoja të qyteti antik të themeluar nga Pirroja i Epirit dhe Molosisë.

E. Molla

Ekspedita italo-shqiptare

Projekti “Liburna” në gjirin e Vlorës

VLORE- Një ekspeditë e përbashkët italo-shqiptare ka filluar punën në gjirin e Vlorës. Orikumi është një bazë e mirë për të eksploruar gadishullin e Karaburunit, i cili mbyll nga krahu perëndimor gjirin e Vlorës. Gadishulli i Karaburunit është më i madhi i bregdetit shqiptar, me gjatësi 16 km dhe gjerësi maksimale 4,5 km. Bregu perëndimor i Karaburunit është spektakolar, me gjire dhe plazhe të vogla e të izoluara, me ujëra të thella dhe shumë të pastra. Në veri të gadishullit gjendet shpella detare e Haxhi Alisë (lundërtar ulqinak i shek. XVII). Kjo është shpella më e madhe detare e Shqipërisë. Plazhet kryesore të Karaburunit janë ato të Dafinës dhe Grames. Këto janë plazhe të izoluara, që mund të arrihen vetëm me rrugë detare. Pranë plazhit të Grames gjendet Shpella e Skllevërve, e cila në kohën antike shfrytëzohej për nxjerrjen e gurit nga ana e skllevërve. Në faqet e plazhit të Grames shfaqen gjithashtu mbishkrime antike, të cilat mendohet se janë shkruar nga lundërtarët e ndryshëm që kanë kaluar aty. Ekspedita do të fokusohet kryesisht në zonën nënujore të gjirit, ku fshihet një pjesë e historisë së lashtë. Drejtori i parqeve arkeologjike “Amantia-Orik” u shpreh për se "ideja për të filluar këtë ekspeditë u hodh gjatë një vizite që zhvilloi ditët e fundit në këtë park, një ekspeditë e drejtuar nga Adrian Anastasi, drejtor i arkeologjisë nënujore Durrës, dhe Xhulian Volpe, rektor i universitetit të Foxhias (Itali), të cilët realizuan një rikonicion të sitit arkeologjik Orik, në kuadrin e projektit ‘Liburnia’, që ka nisur të zbatohet në bregdetin jugor të Shqipërisë".

"Liburna", ose arkeologjia shqiptare e nënujit, është një projekt kombëtar, i cili është përfshirë në marrëveshjet 2007-2010 me qeverinë italiane. Ai ka si objektiv studimin e bregdetit shqiptar dhe ndërtimin e hartës arkeologjike të tij. Pjesë e punës së projektit është edhe një kërkim i realizuar para pak javësh në zonën nënujore të Porto-Palermos, ku u zbuluan objekte qeramike të shekullit IV dhe u realizua zonifikimi i plotë i kësaj pjese të bregdetit. Sipas tij, një nga fazat më interesante të projektit është eksplorimi i gjirit të Vlorës dhe Treportit, ku puna do të përqendrohet në zonën nënujore të tij.

Dh. Spiro

Nëpër Shqipëri për 17 ditë

Romanët zgjedhin Beratin për tur turistik

BERAT- Plot 59 qytetar të rajonit të Lacio–Roma, pjesë e Campegiatori Itineranti ( kampingjet e lëvizshme) për nisjen e itinerarit nëpër Shqipëri për 17 ditë kanë zgjedhur qytetin e Beratit për nisjen e këtij turneu. Qytetarët italianë, të inkuadruar në 19 mjetet e tyre tip ruleta, kanë bërë demonstrimin e nisjes së turit turistik nga qendra e qytetit. Me këtë rast turistët italianë, të shoqëruar nga përfaqësuesi i rajonit të Lacio-Roma Giussepe Truini, janë pritur nga pushtetarët vendorë. Pas demonstrimit në sheshin qendror një grup ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë së Beratit, zotin Fadil Nasufi, të cilit i kanë shprehur dëshirën për një bashkëpunim në fushën e turizmit. Përfaqësuesi i rajonit të Lacio-Roma, zoti Truini, pas shpalosjes së programit të kësaj guide turistike është shprehur se u zgjodh qyteti-muze i Beratit dhe në kuadër të pranimit si pasuri kulturore nga UNESCO-ja. Për këtë organizatorët menduan që ta nisin rrugëtimin nëpër Shqipëri pikërisht nga ky qytet i lashtë dhe me vlera. Ndërsa drejtuesit e pushtetit vendor të Beratit pas urimit të mirëseardhjes dhe përgëzimit për zgjedhjen e bërë prej tyre janë shprehur se këto aktivitete shërbejnë në kalitjen e miqësisë dhe njohjes së kulturave në kuadër të vendeve fqinje. Prej të dyja palëve është theksuar se në të ardhmen duhet të ketë më shumë aktivitete të tilla. Më pas qytetarët romak kanë zhvilluar vizita nëpër zonat muzeale dhe nëpër qytet.

S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›