E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Korçës burim infeksioni dhe sëmundjesh

06/08/2009  Lagjja pranë Mitropolisë dhe shkollës “Sevasti Qiriazi” kthehet në vend për hedhjen e mbeturinave

KORÇE- Lagjja nr. 2 e qytetit të Korçës, shumë pranë me qendrën kryesore të qytetit, rrezikon të kthehet në burim infeksionesh dhe sëmundjesh. Që prej dy vjetësh kjo lagje dhe konkretisht zona që ndodhet në dy krahët e rrugës “Alqi Kondi” është shndërruar në një landfill, siç quhen tashmë vendhedhjet e gjithë mbeturinave të një qyteti, duke filluar nga mbeturinat inerte, ambalazhet, plastmase, mbeturinat ushqimore e deri te gjithë llojet e mbeturinave të tjera, pa përjashtuar rastet kur në këtë vend depozitohen edhe qentë dhe macet e ngordhura. Absurditeti duket sikur nuk ka fund, pasi aty ku hidhen mbeturinat ndodhet Mitropolia e Korçës dhe shumë pranë saj një nga shkollat më të mëdha 9-vjeçare të Korçës: shkolla “Sevasti Qiriazit”. Përveç faktit që në këtë vend po ngihet një mal me hedhurina, në këtë vend nuk sheh të vendosur asnjë kontenier (kazan) për hedhjen e plehrave. E megjithatë që prej dy vjetësh Bashkia e Korçës hesht sikur të mos ketë ndodhur asgjë apo sikur lagjja nr. 2 e këtij qyteti të mos jetë në juridiksionin e saj. Dhe kjo gjë ndodh kur Bashkia e Korçës dhe drejtuesit e saj që nga dita e ardhjes në pushtet trumbetojnë çdo ditë moton: “Korça qyteti ku dua të jetoj”.

Vendi i plehrave pranë Mitropolisë

Nisur nga shqetësimet e mësipërme, tashmë banorët e qytetit të Korçës kanë nisur të ngrenë zërin e tyre dhe të kërkojnë me këmbëngulje heqjen e të gjitha mbeturinave nga ky vend dhe kthimin e lagjes në normalitet. Për gjithë banorët e kësaj lagjeje indiferenca e bashkisë është e papranueshme. Mbi të gjitha, të fyer ndihen besimtarët ortodoksë, të cilëve sa herë u duhet të shkojnë në kishën e Mitropolisë u duhet të kapërcejnë malin e plehrave ose të kalojnë anës tyre, pasi nuk ka mundësi tjetër shmangieje. Ndërkohë u duhet të zënë hundët me duar për të mos u përballur me një erë që ngrihet në formë avujsh për shkak të temperaturave të larta, ku tashmë në këtë lagje gjithçka kundërmon. Gjithsesi, gjithë banorët e kësaj lagjeje, por edhe banorët e lagjeve të tjera, e konsiderojnë tejet të papranueshme që pranë një vendi të shenjtë si Mitropolia të lejohet hedhja e plehrave dhe të lihen aty të paktën për dy vjet me radhë pa u hequr. Duke mos arritur të kuptojnë asgjë nga gjithçka po ndodh me këtë lagje, banorët kujtojnë sloganet e drejtuesve të Korçës, të cilët kanë premtuar se qytetit të kulturës do t’i kthenin shkëlqimin e humbur.

Frika nga sëmundjet

Ndërkohë banorët e lagjes nr. 2 ndihen të shqetësuar edhe për fëmijët e tyre, pasi jo në pak raste fëmijët i gjejnë duke luajtur atje me mbeturinat që dalin nga mali i hedhurinave. Banorët e kësaj lagjeje shprehen se tashmë ekzistojnë të gjitha gjasat që ky grumbullim plehrash të kthehet në burim infeksionesh dhe sëmundjes, ku më të rrezikuar gjithnjë mbeten fëmijët. Tashmë ata duan të kenë pas një kujdestar, sepse sërish mund t’i gjesh mes plehrave duke kërkuar “lodra” apo duke nxitur kureshtjen e tyre se çfarë mund të ketë në këtë në fund të këtij konglomerati sendesh të të gjitha llojeve. Dhe kjo gjë ndodh kur rreziku i sëmundjeve është gjithnjë e më evident, sepse tashmë për shkak të kohës mbeturinat janë kthyer në kalbësira dhe dekompozime që tmerrojnë çdokënd me erën e tyre të padurueshme. Një gjë e tillë ndodh në qytetin e Korçës, që njihet si qytet ku gratë qëndrojnë me fshesë në dorë e pastrojnë sokakët e gurtë që në mëngjes, aq më shumë kur bashkia e konsideron si qytetin e festave, në një kohë kur në këtë lagje njerëzit nuk guxojnë të mbajë dritaret hapur dhe të ulen për të drekuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›