E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ankesat e pacientëve tani për cilësinë e shërbimit e barnat"



"Perceptimi për korrupsionin në shëndetësi ka qenë i ekzagjeruar. Tashmë, raporti mes pacientëve dhe bluzave të bardha ka marrë një drejtim të ri, i cili fokusohet te cilësia e shërbimeve", këtë deklaratë bëri dje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë aktivitetit "Ndërtimi i shoqërisë demokratike, jo korrupsionit". Takimi u organizua nga këshilli shqiptar i marrëdhënieve me jashtë në bashkëpunim me misionin e BE, në Tiranë, nën mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë". Zakonisht termi korrupsion identifikohej në mitmarrjen në disa raste e bluzave të bardha dhe jo në abuzime me fontet shtetërore. Konsiderim ky që ka çuar në ndërtimin e një raporti konfliktual mjek-pacient. Në këtë moment është vendi të themi se ky raport po ndryshon fale një transparence reciproke", tha Ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, rivendosja e sistemit të pagesave në piramidën normale dhe sistemi i referimit në kahun tjetër janë reforma që kanë dhënë rezultatet e para. "Tashmë ka një ndryshim thelbësor në ankesat e publikut. Ankesat e pacientëve tashmë nuk janë të fokusuara në aspektin e mitmarrjes, por në kërkesat dhe problematikat për diagnozën mjekësore dhe raportin e pacientëve me barnat. Rreth 80-90 për qind të ankesave sot kërkojnë precizim të diagnozës dhe barna sa më cilësore. Ka ndodhur një fenomen pozitiv, është rritur numri i qytetarëve që kërkojnë të vendosin marrëdhënie formale me shtetin, duke u bërë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore. Sot edhe mjekët janë më të qetë", theksoi Ministri i Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›