Vritet një gazetar në Pakistan
Trupi i një gazetari pakistanez, i cili ka shkruar rreth lidhjeve në mes të ushtrisë pakistaneze dhe Al Qaedes, është gjetur në pjesën juglindore të Islamabadit, dy ditë pasi ishte zhdukur.
Sied Salim Shahzad, ka punuar për një agjenci të lajmeve të Italisë dhe për një faqe interneti, e regjistruar në Hong Kong.
Ai kishte dal nga shtëpia e tij më datën 29 maj, që të marrë pjesë në një emision televiziv, mirëpo nuk kishte arritur asnjëherë në atë adresë.
Trupi i është gjetur në veturën e tij në qytezën e Sarai Alamgir, rreth 150 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Islamabad.
Raportet thonë se trupi i Shezadit ka treguar shenja të torturës. Gazetari i ndjerë kishte shprehur frikën se shërbimi i inteligjencës së Pakistanit ka planifikuar sulm hakmarrës, për shkak të punës së tij si gazetar.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, e ka dënuar kidnapimin dhe më pas vrasjen e Shahzadit.
Përmes një komunikate, Clinton ka thënë se SHBA-të e mirëpresin nisjen e hetimit nga ana e autoriteteve pakistaneze rreth vrasjes së Sied Salim Shahzad.
Komunikata thotë se “puna e Shahzadit rreth terrorizmit dhe çështjeve të shërbimit të inteligjencës në Pakistan, ka hedhur dritë mbi pengesat që paraqet ekstremizmi për stabilitetin e Pakistanit”.